Nga 17 shtatori fillon pagesa në Rrugën e Kombit
Në këtë takim ishin të pranishëm përfaqësues nga Prefektura e Qarkut të Kukësit; nënkryetarë të Bashkisë së Kukësit e Tropojës dhe kryetari i Bashkisë Has; përfaqësues të Këshillave Bashkiake të këtyre tre bashkive; përfaqësues nga bizneset e Qarkut të Kukësit dhe linjave të transportit.
Paralel me procesin e negocimit me kompaninë koncesionare janë zhvilluar më shumë se 10 takime konsultative me komunitetin dhe grupet e interesit ku përfshihen: dëgjesa me banorët dhe drejtuesit e Bashkive të Kukësit, Hasit e Tropojës; takime me përfaqësues të Prefekturës dhe Këshillave bashkiake; takime me përfaqësues të bizneseve të grupuara në Odën Ekonomike të Kosovës; takime me Bashkimin e Prodhuesve Shqiptare.
Grupi ka pranuar kërkesën e bizneseve (kryesisht atyre të Kosovës), për të spostuar rinisjen e zbatimit të kalimit me tarifë përtej sezonit aktual turistik. Rrjedhimisht, është përcaktuar që kalimi me pagesë në aksin Milot-Morinë të fillojë të zbatohet duke nisur nga data 17 Shtator 2018.
Më tej, ai tha se po vazhdon investimi për ta përfunduar segmentin nga Kukësi në Morinë duke e sjellë brenda parametrave të duhura.
“Ne do ta kompletojmë edhe pjesën e mbetur nga Kukësi në Morinë. Kanë filluar investimet aty dhe po rregullohen urat. Shumë shpejt do të mbyllet kontrata edhe për pjesën e mbetur dhe do të vendosim edhe 2-3 mbikalime aty pasi është bërë zonë e rrezikshme për qytetarët. Pra, brenda vitit edhe ajo pjesë e mbetur e autostradës do të kompletohet me parametrat e duhura”, theksoi Gjiknuri.
Ndërkaq, Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj tha se rruga paraqet vështirësi në mirëmbajtje dhe kosto të larta por mbetet strategjike. Ai sqaroi efektin që ka në Buxhetin e Shtetit paketa lehtësuese e negociuar me kompaninë koncesionare.
PAKETA LEHTESUESE PARASHIKON:
Tarifimi i automjeteve të banorëve të Qarkut të Kukësit
Tarifë prej 100 lekë me TVSH për 1 kalim për të gjithë automjetet e regjistruara në Qarkun Kukës;
Tarifa e reduktuar do të jetë e kufizuar për jo më shumë se 44 kalime në muaj dhe e vlefshme për tu përdorur brenda peridhës 1 mujore nga data e kryerjes së pagesës për këto kalime;
Përdoruesit e Qarkut Kukës do të parablejnë në mënyrë të përshkallëzuar deri në 44 kalime me këtë tarifë të reduktuar;
Kjo skemë tarifore do të aplikohet për klasën e automjeteve A dhe B për përdorim vetjak, të regjistruara në Qarkun Kukës;
Për automjetet e cilësuara më lart, të regjistruara në Qarkun e Kukësit, do të marrin falas pajisjen elektronike Telepass dhe përmes saj do bëjnë rimbushjen e vlerës së kalimeve mujore sipas nevojës;
Tarifimi i autobusëve të linjës
Janë identifikuar 11 Linja të licensuara autobusësh që kryejnë udhëtime nga dhe për në qytetin e Kukësit;
Për të eleminuar efektin e tarifës në koston e udhëtimit të banorëve të Qarkut Kukës, këto linja do përfshihen në skemën preferenciale;
Këto mjete do të kenë tarifë Kalimi prej 100 lekë me T.V.SH për 1 kalim;
Tarifimi i përdoruesve të shpeshtë të rrugës pavarësisht vendosjes së tyre (kryesisht bizneset nga Shqiperia dhe Kosova):
Nga 20 deri në 30 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 10%;
Mbi 30 deri në 50 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 20%;
Mbi 50 deri në 60 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 30%;
Mbi 60 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 40%;
Efekti financiar në Buxhetin e Shtetit për këtë paketë lehtësuese:
Shteti shqiptar duhet të paguajë koncesionarit në 30 vitet e kontratës 48.5 milion Euro si rezultat i zbatimit të këtyre tarifave të reduktuara për banorët e Qarkut Kukës, mjetet e transportit publik në këtë zonë dhe përdoruesit e shpeshtë.