16-04-2024

Nga Kosova në Shqipëri, me pistoletë në veturë

Tre shtetas, njëri prej tyre nga Kosova, janë arrestuar në pikën kufitare të Morinës për “trafikim të armëve dhe municionit”, kryer në bashkëpunim. Policia e Kukësit bën me dije se shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në zbatim të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, kanë intensifikuar kontrollet si në dalje ashtu dhe në hyrje.

“Në përfundim të veprimeve hetimore specialistët për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve në DVP Kukës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: F.G., 34 vjeç, banues në Kosovë, D.F., 36 vjeçe dhe M.Q., 40 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale ‘Trafikimi i armëve dhe i municionit’, kryer në bashkëpunim. Si rezultat i kontrolleve në mjetin tip ‘Volkswagen’, me drejtues shtetasin F.G. dhe pasagjere shtetaset D.F. dhe M.Q., policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë dhe fishekë luftarakë. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë në Kukës për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë Vendore të Policisë në Kukës, shkruan koha.net.

Ky është rasti i dytë që në këtë pikë të kalimit kufitar arrestohen gra të akuzuara si të implikuara në trafik të armëve luftarake dhe municionit. Më 19 shtator të vitit kaluar është arrestuar në pikën e kalimit kufitar në Morinë këngëtarja kosovare Fjolla Morina. Gjatë kontrollit nga autoritetet e pikës kufitare në Morinë, në çantën e saj u gjetën dy pistoleta, njëra prej tyre rezultoi të ishte çakmak, si edhe 23 fishekë. Këngëtarja nga Kosova u arrestua bashkë me dy persona të tjerë, me të cilët po udhëtonte. Fitim Muji, shoferi personal dhe miku i saj, tashmë bashkëshorti i Fjolla Morinës, biznesmeni nga Gjilani, Fisnik Syla. Fillimisht Gjykata e Kukësit caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 30-ditor për të dy këta persona, por ata janë liruar 16 ditë më vonë nga burgu. Gjykata e Kukësit pushoi hetimet për Fisnik Sylën dhe Fitim Mujin, duke u shprehur se nuk ka prova që ata të jenë të implikuar në armën që iu gjet Fjolla Morinës. Ndërkohë që këngëtarja Fjolla Morina u la në “arrest shtëpie” në një banesë me qira të marrë në qytetin e Kukësit. Prokuroria e Kukësit mbylli më 16 nëntor hetimet për dosjen në ngarkim të këngëtares Fjolla Morina.

Dosja kishte mbërritur në gjykatë dhe ajo akuzohej vetëm për veprën penale “armëmbajtje pa leje”, ndërsa vepra tjetër “trafikim armësh” kishte rënë. Por gjyqtari paraprak Florin Demollari ka qenë kundër këtij konkluzioni të prokurorisë. Ai e ka kthyer çështjen në organin e akuzës për plotësim hetimesh, ku ai mendon se kemi të bëjmë me trafik armësh dhe jo armëmbajtje pa leje.

Tashmë akuza në ngarkim të Fjolla Morinës ka ndryshuar nga “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit parashikuar nga neni 287/1 i Kodit Penal” në “trafik i armëve dhe municionit”.

“Importimi, eksportimi, tranzitimi dhe tregtimi, në kundërshtim me Ligjin e armëve dhe municionit luftarak, ose i pjesëve përbërëse të tyre me qëllim fitimi material ose çdo fitimi tjetër dënohet me burgim nga 7 deri në 15 vjet. Por kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, ose sjell pasoja të rënda, dënohet me burgim nga 10 deri në 20 vjet”, thuhet në nenin 278/1 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Por kjo çështje me sa duket do të gjykohet në mungesë, pasi këngëtarja nga Kosova, Fjolla Morina, pas ndryshimit të akuzës është larguar pa leje nga vendi i dënimit dhe është shpallur në kërkim nga Policia Shqiptare./koha.net

Asnjë koment

Comments are closed.