Nga një muaj paraburgim të dyshuarve nga Prizreni e Suhareka, për afro “10 mijë eurot e falsifikuara”
Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurve Q. A. dhe Sh. B..
Tek të pandehurit Q. A. nga Komuna e Suharekës dhe Sh. B. nga Komuna e Prizrenit, pas një operacioni nga zyrtarët policorë janë gjetur kartëmonedha në vlerë prej 9.850 euro, që dyshohet të jenë të falsifikuara.
Me këto veprime, Gjykata thotë se të pandehurit kanë kryer veprën penale “falsifikim i parasë” vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, pasi që masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin normal të procedurës penale.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.