30-07-2021

Nga sot në Prizren, 11 filma të Zhelimir Zhilnikut

Realizuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian, me një përzgjedhje prej njëmbëdhjetë filmave të shkurtër e të gjatë nga regjisori serb Želimir Žilnik (Zhelimir Zhilnik), programi i filmit do të shfaqet nga data 3-27 korrik, çdo të mërkurë dhe të shtunë te Lumbardhi, bën të ditur fodnacioni “Lumbardhi” nga Prizreni.

Përzgjedhja e filmave nga karriera e viteve të fundit të regjisorit serb Želimir Žilnik, State of Exception: Retrospektiva e Želimir Žilnikut, përfshin trembëdhjetë filma nga arkivi i punës së regjisorit që do të shfaqen gjatë një aktiviteti njëmujor në kinemanë Lumbardhi.

Duke filluar nga 3 korriku, programi fillon me krijimet e Žilnikut të përgatitura nga një periudhë kundërthënëse dhe e shpërbërjes sociale të Jugosllavisë, ku socializmi ekzistues doli në pah nëpërmjet turbulencave nacionaliste në rritje dhe dhunës shtetërore. Rregullat e jashtëzakonshme që nga atëherë tregojnë se “gjendja e përjashtimit” në të cilën është jetuar, ishte në të vërtetë, përjashtim. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, ku realiteti kulturor dhe politik ishte nën hegjemoninë e “Perëndimit” liberal, kriza e refugjatëve dhe përhapja e madhe e ndasive (mureve), kufijve dhe dhunës policore u bënë manifestimi më i dukshëm i këtij përjashtimi të pafund.

Duke trajtuar drejtpërdrejt të përndjekurit, që ishin të paracaktuar të mbeteshin të padukshëm në kontekste të ndryshme historike dhe politike, Žilnik filmoi këto popullata “të përjashtuara” dhe ekzistencën e tyre spektrore në shoqëri për më shumë se 50 vjet. Praktika e tij e filmit është dëshmi se puna në një kontekst të tillë kërkon një angazhim politik me situata bashkëkohore i cili nuk është i mundur brenda territorit të kinemasë zyrtare me buxhet të lartë.

Që nga fillimi i karrierës së tij të filmit, Žilnik, në mënyrë provokative, i trajtoi të lënët pas dore dhe të papunësuarit gjatë sistemit socialist jugosllav, ku shpejt pas ballafaqimit me çështje të censurës në Jugosllavi, i kaloi vitet e mesit të të 70-ve në Gjermani. Pas kthimit në Jugosllavi në të 80-at dhe xhirimet në vitet pas 2000-tës, ai trajtoi tema të dhunës politike, refugjatëve dhe emigracionit në Evropë, duke reflektuar në jetërat e shkatërruara nga kjo gjendje e përjashtimit të përhershëm.

Paralelisht me filmat e përzgjedhur, Žilnik do të organizoi një punëtori dyditore ku do të shpjegojë metodat dhe angazhimet e tij me praktikën e filmit politik dhe vështirësitë që ky lloj filmi bart me vete. Gjatë pjesës së dytë, ai do të paraqesë filmin e tij më të fundit Among the People: Life & Acting (2018), i cili përmbledh kujtime dhe komentime nga aktorë joprofesionistë me fragmente nga filmat në të cilët ata kanë marrë pjesë si “protagonistë” të kombinuara me filmime të ekipit i cili angazhohet në filmat e Žilnikut. Filmi do të përcillet me zhvillimin e një diskutimi.

Programi i filmave është bërë i mundur përmes programit ‘Kulturë për Ndryshim’ që financohet dhe menaxhohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Qendra Multimedia dhe Instituti Goethe, si dhe “Hapësirat Kulturore të Kosovës” të zbatuara nga Anibar, Lumbardhi, 7Arte dhe Pogon, të mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e organizatorëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian. Të gjitha shfaqjet janë pa pagesë dhe shfaqen në gjuhën origjinale me titra në gjuhën shqipe dhe atë angleze.

Mundësuar nga:

PROGRAMI

E mërkurë, 3 korrik, 20:30

Inventory [Inventari] (1975), 11 min

Banorët e një ndërtese të vjetër në qendër të Münichit paraqiten si personazhe kryesorë të këtij filmi, shumica e të cilëve janë të huaj që punojnë në Gjermani si “punëtorë mysafirë”. Secili prej tyre shpjegojnë për veten në gjuhën e tyre amtare, duke paraqitur shkurtimisht shqetësimet kryesore, shpresën dhe planet për të ardhmen.

The Second Generation [Gjenerata e dytë] (1984), 90 min

Pas 11 vjetëve të kaluara në Shtutgart, pesëmbëdhjetëvjeçari Pavle Hromiš kthehet në atdheun e tij në fshatin Kucura, (Serbi), për të vazhduar shkollimin e tij. Menjëherë i hutuar nga mjedisi i tij i ri, plan programi mësimor i ndryshëm dhe njerëz që nuk i njeh, Pavle kthehet në Gjermani, pasi pati një debat me gjyshen e tij dhe një konflikt me shokët e tij të klasës. I ndarë nga shokët e tij të vjetër, Pavle fillon të shohë përvojën e tij të mëparshme në një dritë të re dhe pasi kthehet në Jugosllavi ndjek një shkollë me konvikt në Novi Sad ku takon të rinj të tjerë që kanë histori të ngjashme.

E shtunë, 6 korrik, 20:30

Brooklyn, Gusinje (1988), 85 min

Një rrobaqepëse e re, Ivana, lë punën e saj në një punëtori në Novi Pazar dhe pranon një ofertë për t’u bërë kamariere në Gusi, një qytezë malazeze në kufirin jugosllavo-shqiptar. Si ndihmëse e kamarieres kryesore, një romancë lind kur dy vëllezër vijnë në qytet për pushime nga Nju Jorku dhe kështu takimi i kulturës serbe dhe asaj shqiptare, i gjuhëve, i zakoneve dhe traditave familjare zhvillohen në një peizazh mahnitës malor.

E mërkurë, 10 korrik, 20:30

Old Timer [Veterani] (1989), 80 min

Një roker i moshuar, i quajtur Igor, punon si gazetar dhe DJ në “Radio Študent” në Lubjanë, Slloveni. Kur ai vëren se mirëmbajtësi Miha punon për policinë dhe pas një përplasjeje me redaktorin e tij, Igori vendos të largohet për në Greqi përmes Bosnjës dhe Serbisë, ku gjatë udhëtimit i bashkëngjitet një shoqëruese e re e quajtur Rahela. Duke udhëtuar nëpër Jugosllavi, ata përfshihen në trazira të papritura gjatë fillimit të “revolucionit anti-burokratik” të Millosheviqit.

E premte, 12 korrik, 16:00

Dita e parë e punëtorisë

E shtunë, 13 korrik, 14:00

Dita e dytë e punëtorisë

Shfaqja e filmit: Among the People: Life & Acting (2018), 83 min

Një incizim i përgatitur me rastin e ekspozitës Shadow Citizens, është një përmbledhje e cila përmban komentime të aktorëve joprofesionistë, me fragmente nga filmat në të cilët ata kanë marrë pjesë si “protagonistë” të kombinuara me filmime të ekipit i cili angazhohet në filmat e Žilnikut. Vepron si një kujtesë për Žilnikun lidhur me talentet dhe përvojat reale të pjesëmarrësve të tij, gjë që e frymëzoi atë të artikulonte temat e tyre narrative dhe gjithashtu të përcaktojë karakteret e tij imagjinative. Në të njëjtën kohë, incizimi dokumenton se si pjesëmarrësit e filmit përjetuan takime të reja dhe solidaritet në “kolazhin e filmit”.

E shtunë, 13 korrik, 20:30

Kenedi Goes Back Home [Kenedi kthehet në shtëpi] (2004), 75 min

Ky film përshkruan ata që emigruan në vendet evropiane gjatë periudhës së luftës së viteve të 90-ta. Shumë prej popullsive me jetë dhe familje të zakonshme, në vitin 2002 ishin subjekt i “procesit të ripranimit” – një veprim i ashpër dhe çnjerëzor i policisë ku njerëzit u nxorrën nga puna, shkollat dhe shtëpitë e tyre dhe u kthyen në Serbi. Pas ngjarjes së dy miqve, filmi fokusohet në gjendjen e romëve si pjesa më e rrezikuar e popullsisë së kthyer.

Kenedi Lost and Found [Kenedi i humbur e i gjetur përsëri] (2005), 26 min

Pas pjesëmarrjes së tij në xhirimet e filmit Kenedi Goes Back Home, Kenedi Hasani vendos që të zhvendoset në mënyrë të jashtëligjshme në një shtet të BE-së ku babai i tij, nëna, vëllezërit dhe motrat jetojnë ende. Gjatë një prej kalimeve kufitare ai kapet dhe dërgohet në një kamp refugjatësh. Pasi arrin të largohet për në Austri dhe pastaj në Gjermani e Holandë, ekuipazhi i filmit e takon atë në Vienë gjatë një shfaqjeje të Kenedi Goes Back Home. Dokumentari rrëfen përvojën e Kenedit dhe të situatës së tij gjatë periudhës dyvjeçare si refugjat, ndërsa ekipi vëzhgon kthimin e tij në Serbi.

E mërkurë, 17 korrik, 20:30

Kenedi is Getting Married [Kenedi po martohet] (2007), 80 min

Në borxhe të mëdha pas ndërtimit të një shtëpie për familjen e tij, Kenedi e gjen veten në kërkim të çfarëdo lloj pune për të mbajtur veten, përfundimisht duke kërkuar punësim në industrinë e seksit. Kur mëson për ligjet e reja liberale evropiane, për martesat homoseksuale, Kenedi sheh perspektivë në “materialin e martesës” së mundshme për të rikthyer shpresën e një statusi ligjor në BE. Mundësia krijohet gjatë Festivalit Muzikor EXIT, kur takon Max nga Mynihu. Por, a do t’i sjellë marrëdhëna e tyre premtuese zgjidhje problemeve të Kenedit?

E shtunë, 20 korrik, 20:30

Little Pioneers [Pionerët e vegjël](1968), 12 min

Ky film i shkurtër ndjek një grup fëmijësh të lënë pas dore, të lënë për t’u përkujdesur për veten duke vjedhur dhe thyer ligjin. Ata debatojnë me prindërit e tyre të cilët as nuk i kuptojnë e as nuk kanë mëshirë ndaj tyre. Si një kontrast me këtë histori, paraqitet një shfaqje televizive, ku aktori argëtues i njohur Gula (Dragoljub Milosavljeviç) bashkëbisedon me fëmijë të lumtur e të pabrenga.

Fortress Europa [Kështjella Evropë] (2000), 80 min

Kjo dramë dokumentare është incizuar në rajonet kufitare midis Hungarisë-Sllovenisë dhe Kroacisë-Hungarisë në zonën Shengen të Evropës Jug-Lindore. Historia fokusohet në familjen ruse, me nënën Svetlana në Trieste dhe vajzën e saj Katja e cila shoqërohet nga ish-burri i Svetlanës, Artjomi. Gjatë udhëtimeve të tyre, të dy përballen me probleme duke u gjendur në një vend të huaj pa dokumente që do ta bënin të ligjshme pjesën tjetër të udhëtimit të tyre drejtë Perëndimit.

E mërkurë, 24 korrik, 20:30

Black and White [Bardh e zi] (1990), 60 min

Reubeni, një student afrikan në Universitetin e Novi Sadit kthehet nga vizita e prindërve të tij kur ballafaqohet me një klimë politike krejtësisht të ndryshuar në Jugosllavi. Brenda atmosferës së një “zgjimi kombëtar”, studentët me ngjyrë që vijnë nga shtetet e painkuadruara nuk janë më të mirëpritur. Në këto momente Reubeni takon Sashën, një djalë i ri pa paragjykime racore, i cili sapo është kthyer nga puna në Evropë.

Pirika on Film [Pirika në film] (2003), 53 min

Në këtë ese biografike ndjekim Pirikën, një grua me dëshirë të fortë, e cila jeton në Serbi, e filmuar 44 vjet pasi ishte shfaqur si aktore në fëmijëri në filmin dokumentar të shkurtër Little Pioneers dhe filmin fitues të Ariut të Artë, Early Works, që të dy në regji të Želimir Žilnikut. E rritur në rrugët e Novi Sadit, e tërhequr në karrierën e aktrimit në mënyrë të rastësishme, në luftë me marrëdhëniet e shumta të dështuara dhe madje edhe duke humbur edhe kontaktin me vajzën e saj të vetme. Kjo është historia e Pirikas, një rindërtim i jetës së saj përmes fuqisë rigjeneruese të kinemasë.

E shtunë, 27 korrik, 20:30

Logbook Serbistan [Ditari i Serbistanit] (2015), 94 min

Migrantët e paligjshëm dhe azilkërkuesit strehohen në qendrat e refugjatëve në Serbi pas ikjeve dramatike nga zonat e luftës dhe të varfëra të Afrikës veriore dhe Lindjes së Mesme. Këta njerëz duhet të kalojnë nëpër një periudhë komplekse të përshtatjes me jetën në Serbi, edhe pse në shumicën e rasteve qëllimi i tyre është të shkojnë në vendet e BE-së. Kjo dramë dokumentare thekson kontekstin socio-politik në të cilin ata tregojnë vlerën e tyre individuale, duke u bërë protagonistët me të cilët shikuesit mund të identifikohen dhe betejat e fatet e të cilëve mund t‘i kuptojnë.

Asnjë koment

Comments are closed.