25-11-2024

Ngrihet aktakuzë ndaj 12 personave për rastin “Brezovica 1”

Prokuroria Themelore në Ferizaj njoftoi të premten se ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave të pandehur në rastin “Brezovica 1”.

Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri B.N., si person zyrtar – Kryetar i Komunës së Shtërpcës, ka keqpërdorur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, duke mundësuar dhënien e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në zonën e tretë dhe të dytë të vikendzonës në Brezovicë, me ç’rast do të kryente veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, raporton  “Betimi për Drejtësi”.

Për të njëjtin, ekziston dyshimi i bazuar mirë​ se ka kryer edhe veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Ushtrimi i ndikimit”, si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Për të pandehurin D.R.,, ekziston dyshimi i bazuar mirë se në vitin 2016, si person zyrtar, Drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Shtërpcës, ka keqpërdorur detyrat zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, me këtë ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autorizimit”.

Sipas Prokurorisë, për të njëjtin, ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer edhe veprat penale “Marrja e ryshfetit” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Për të pandehurit D.R., H.B., dhe D.M.,- ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga fillimi i vitit 2013 deri me 21 Dhjetor 2021,në bashkëveprim, si persona zyrtar, i pandehuri i parë drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit, kurse i pandehuri i dytë dhe i tretë  si inspektor komunal të ndërtimit në Drejtorinë e Urbanizmit-tani Drejtoria e Inspektoratit në Komunën e Shtërpcës, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, në pajtim me nenin 24 të Ligjit për Inspektoratin e Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Planifikimit Hapësinor dhe Ndërtimit nr.04/L-175, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, në atë mënyrë që pas marrëveshjes që të lejojnë ndërtimet pa leje, në mënyrë që të përfitojnë dobi pasurore për vete, me këtë kanë kryer në bashkëkryerje veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autorizimit”. Po ashtu, ndaj të njëjtëve ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer në bashkëkryerje edhe veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Ndaj të pandehurit S.M., ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga fillimi i vitit 2010 deri në fund të vitit 2014, si person zyrtar, shef i Drejtorisë së Kadastrit në Komunën e Shtërpcës, dhe deputet i Kuvendit të Kosoves, në mënyrë të drejtpërdrejt ka kërkuar dhe pranuar para për vete që të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, me këtë ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfeti”.

Sipas Prokurorisë, për të njëjtin, ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer edhe veprat penale “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Për të pandehurin A.Ç- ekziston dyshimi i bazuar mirë se gjatë vitit 2016 dhe 2017, si person zyrtar- Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Prishtinë, ka keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin, me këtë do të kryente veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Për të njëjtin, ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer edhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontrolle ose në posedim të paautorizuar të armëve”.

Për të pandehurin M.H., ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga fillimi i vitit 2013 deri në fund të vitit 2020, si person zyrtar-shef i departamentit për Mbrojtje të Mjedisit dhe Ujërave në MMPH-së, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare në pajtim me nenin 8 të Ligjit për Inspektoratin e Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Planifikimit Hapësinor dhe Ndërtimit nr.04/L-175, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin, me këtë ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autorizimit”.

Për të pandehurin H.A., ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga fillimi i vitit 2014 deri  2016, si person fizik, në mënyrë të tërthortë i ka dhënë para personit zyrtar që të veproj në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, ,e këtë ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit”. Për të njëjtin, ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer edhe veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”.

Ndaj të pandehurit S.S., ekziston dyshimi i bazuar mirë se në vitin 2016, ka ndihmuar të pandehurin B.N., në kryerjen e veprës penale marrja e ryshfetit, me qëllim të veproj në kundërshtim me detyrat zyrtare, me këtë ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit në ndihmë”.

Ndërsa, ndaj J.K., sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se në vitin 2016, ka ndihmuar të pandehurin B.N., në kryerjen e veprës penale marrja e ryshfetit me qëllim të veproj në kundërshtim me detyrat  zyrtare, me këtë ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit në ndihmë”.

Kurse, ndaj R.B., ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga fillimi i vitit 2013 deri me 21 Dhjetor 2021, si person zyrtar-shef i personelit në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Shtërpcës, ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, me këtë ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autorizimit”. Po ashtu, ndaj të njëjtit ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer edhe veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Prokurori i çështjes Rasim Maloku, me rastin e ngritjes së aktakuzës, ka propozuar që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë.

Ndryshe, deri me tash për rastin “Brezovica” janë arrestuar edhe më shumë persona ndërsa janë sekuestruar mbi 100 objekte të ndërtuara në Brezovicë, që dyshohet se janë bërë në kundërshtim me ligjet.

Muajin e kaluar “Betimi për Drejtësi”  kishte sjellë një hulumtimin ekskluziv për ndikimet në rastin e famshëm “Brezovica” ku janë sekuestruar villa me pronarë politikanë, gjyqtarë e biznesmenë.

“Betimi për Drejtësi”, po ashtu kishte publikuar listën prej 75 pronave të sekuestruara në aksionin e fundit të prokurorit Rasim Maloku në Brezovicë, e cila përmban emra pronarësh të gjykatësve të të gjitha niveleve, politikanëve, biznesmenëve si dhe qytetarëve të tjerë tashmë mban edhe vulën e gjykatës./BetimipërDrejtësi

 

Asnjë koment

Comments are closed.