Ngritet aktakuzë ndaj kryeshefit të “Eko Regjionit” dhe dy personave për mashtrim me tender
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Burim Shalës, kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes publike lokale në Komunën e Ferizajt, “Eko Regjioni”, Arbër Gashit, menaxher i Njësisë së ndërmarrjes dhe Ragip Zejnës, pronarit të kompanisë së “Dielli Construction”.
Në njoftimin e prokurorisë, bëhet e ditur se sipas aktakuzës, më 07.06.2023, si dhe gjatë periudhës nga 18.09.2023 deri më 16.11.2023 në Prizren, B.Sh., në cilësinë e kryeshefit të KRM “Eko Regjioni”, në bashkëkryerje me zyrtarin e kësaj kompanie A.G., kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim të përftimit të dobisë pasurore për veten e tyre dhe për personin juridik Dielli Construction & Equipment SHPK, shkruan Insajderi.

Sipas aktakuzës, i është shkaktuar dëm buxhetit të KRM “Ekoregjioni” në shumën prej 233,685.37 eurosh.
Ndërkaq biznesmeni ferizajas Zejna akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik”, pasi sipas aktakuzës u ka paguar shpenzimet e një udhëtimi jashtë territorit të Kosovës, B.Sh dhe A.G., me qëllim të koordinimit të veprimeve inkriminuese dhe ndikimit për dhënien e tenderit.
Lexo edhe:
Pezullohet gjykimi ndaj ish-prokurorit Metush Biraj, çështja shkon në Kushtetuese

![]()
