Ngritet aktakuzë ndaj të dyshuarit B.B., për “Grabitje në tentativë” në Gjinoc të Suharekës
Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit B.B., për shkak të veprës penale “Grabitje në tentativë”, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri B.B., si anëtarë i grupit të armatosur, me kanosje serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër, së bashku me të pandehurit S.M dhe Z.B., tentojnë të përvetësojnë pasurinë e luajtshme të personit tjetër, më qëllim që vetës t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, në atë mënyrë që me datë 19.05.2018, rreth orës 22:25 min., me veturë shkojnë tek shtëpia e të dëmtuarit S.M., në fshatin Gjinoc- Komuna e Suharekës, i vendosin maskat në fytyrë dhe duke përdorur armë të shkurta dhe të gjata futen në korridorin e shtëpisë së të dëmtuarit dhe në momentin e ballafaqimit me të dëmtuarin, të njëjtin e kërcënojnë duke i’a drejtuar armët, dhe gjatë përleshjes dhe rezistencës së të dëmtuarit shkrepin me armë dhe më pas largohen nga vendi i ngjarjes.
Gjithashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri B.B., akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.