Nijazi Kryeziu, sekretar i degës së PDK-së në Prizren, duke folur për takimin që ka pasur me Artan Abrashin, kryetar të Qendrës së Vetëvendosje (VV), njëherësh kryesues i KK-së në Prizren, ka thënë se bëhet fjalë për takim të rastësishëm dhe pa ndonjë qëllim e as temë diskutimi, transmeton “gazetaeprizrenit.net”.
Ai tha se ka qenë duke pirë kafe në kafiterinë përballë selisë së PDK-së, derisa po priste për të filluar një mbledhje të Komisionit lokal për zgjedhje të PDK-së, ku është edhe kryetar i komisionit, ndërsa më pas kishte kaluar Abrashi dhe ishte ulur 2 minuta. “Ndërkohe në tavolinë na është bashkuar edhe ministri Kujtim Gashi. Asgjë të veçantë nuk ka pasur. Ka qenë thjesht takim i rastit pa ndonjë temë politike”, ka thënë ai për portalin “gazetaeprizrenit.net”.
Për takimin e tyre kishte shkruar Ilir Baldedaj, shef i grupit të këshilltarëve të AAK-së në Kuvendin Komunal, që në faqen e tij të “facebokut” , të shoqëruar me një foto, të hënën në orët e vona të mbrëmjes kishte shkuar se takimi ishte sy me sy.
Kryeziu më tej ka sqaruar se nuk është e thënë që në një qytet njerëzit të mos takohen, aq më tepër kur nuk kanë ndonjë hasmëri, pos rivalitetit politik, që është diçka normale në demokraci.
“Para pak dite jam takuar në qytet edhe me Albin Kurtin dhe po ashtu jemi përshëndetur”, ka thënë ai.
Ndryshe, takimi mes Abrashit e Kryeziut nga një pjesë e opinionit qytetar edhe mund të paragjykohet për shkak të pozitës në të cilën ndodhet koalicioni qeverisës i udhëhequr nga VV, sidomos tashmë kur duhet zgjedhur drejtorët e shkollave, proces ky që përkundër se është thënë se nuk do të neglizhohet, nuk ka dalë të jetë ashtu.
Edhe pse procesi i intervistimit të kandidatëve për konkursin e parë ka përfunduar, ende nuk është bërë zgjedhja e tyre.
Në këtë kontekst edhe zyrtar të VV-së kanë thënë se kanë informacione se Nisma Socialdemokrate që udhëheq Drejtorinë e Arsimit, po tenton të imponojë sa më shumë anëtarë të saj për drejtorë dhe zëvendësdrejtorë.
“Nëse kryetari Haskuka lejon që procesi të komprometohet, atëherë do të ketë reagime nga VV”, ka thënë për portalin “gazetaeprizrenit.net.” një zyrtar i lartë i këtij subjekti, që njëherësh mban edhe pozitë të rëndësishme në Komunë.
Jozyrtarisht thuhet se çështja e drejtorëve dhe ndarja e hises, mund të ketë qenë shkak edhe i takimit të liderit të VV-së, Albin Kurtit dhe Zafir Berishës, pikërisht të premten e kaluar, në festën e Bajramit në Prizren. /gazetaeprizrenit.net/.