Në Prizren nis “Dokufest-i”, sjell shumë filma, koncerte e ekspozita
Sonte në Prizren u hap festivali i filmit dokumentar dhe filmit të shkurtër ‘Dokufest’. Edicioni i 22-të me radhë sjell mbi 110 filma në konkurrencë, derisa ky festival do të zgjasë deri më 12 gusht.
Drejtori artistik i këtij festivali Veton Nurkollari, i cili tregoi për publikun rrjedhën e këtij festivali dhe risitë e këtij edicioni.
“I gjithë festivali mund të them se këtë vit është risi sepse është edicion komplet i ri. Në krahasim me vitet e tjera është edhe më i madh, pasi përveç filmave ka më shumë punëtori, biseda dhe gjëra tjera përcjellëse. Por në thelb është ai ‘Dokufest’ siç ka qenë në kohën pandemike, një organizim i madh i cili në vete ka shumë gjëra, filma, ekspozita, koncerte, biseda dhe natyrisht edhe gjëra për më të vegjlit”, tha Nurkollari.
Tema e edicionit të sivjetmë të ‘Dokufest”-it është inteligjenca artificiale. Kjo temë premton biseda dhe diskutime interesante në panele të shumta gjatë këtij festivali.
“Pse pikërisht kjo temë sepse është aktuale kudo sot. Është një debat i gjerë për intelegjencën artificiale jo vetëm tek ne, por kudo në botë, për dilemën se çfarë do të ndodhte sikur makina ta zëvendësonte njeriun. Pra, nëse kjo intelegjenca artificiale do të sjellë më shumë dobi apo dëm. Kjo temë pra ishte ajo që këtë vit na ka ngacmuar më shumë”, tha ai.
Janë 12 hapësira që do ta pushtojnë Prizrenin e do ta kthejnë atë në qendër botërore kinematografike. Nga hapësirat e mbyllura e nga kinematë buzë Lumbardhit, Kalasë e ambienteve tjera kulturore do të shihen rrëfime të ndryshme kinematografike.
Ato të cilat çdo vit marrin më së shumti interesim janë filmat e kategorisë kombëtare, ku do të jenë 13 të tillë. “About Living”, “Concrete Couriers”, “Hana e Re”, “I kemi varros baballarët”, “Mountain Flesh”, “Of Cats and Daughters”, “Pashtriku”, “Prishtinë, 2002”, “Sheets”, “Tea dhe Kejsi”, “The Future is Better Comrade” dhe “We were, however, able to see the construction” e tjera./rtklive