Behajdin Hallaqi: Çfarë dihet për zhdukjen e tij dhe çfarë konstatoi Gjykata Speciale
Behajdin Allaqi, profesor nga Prizreni dhe veprimtar politik, u zhduk në qershor të vitit 1998. Rrethanat e zhdukjes së tij mbetën të pasqaruara për vite me radhë.
Më 16 shtator 2026, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, konstatuan se Allaqi ishte vrarë pasi Thaçi dhe Veseli e kishin marrë të prangosur nga shtabi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Drenoc të Rahovecit.

Mbrojtja e Thaçit, ish-president i Kosovës, e ka kundërshtuar mënyrën se si gjykata e ka trajtuar rastin, duke thënë se teksa përfundimet për vrasjen e Allaqit u bënë publike, provat mbetën konfidenciale.
Kush ishte Behajdin Allaqi?
Behajdin Allaqi u lind më 7 prill të vitit 1963 në Prizren.
Për jetën dhe veprën e Allaqit, familja e tij ishte rrëfyer te Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK), organizatë që merret me drejtësinë tranzicionale.
Sipas rrëfimit të familjes, ai kishte përfunduar Fakultetin Filozofik në Prishtinë, dhe ligjëronte sociologji e filozofi në Prizren, ndërsa ishte angazhuar vazhdimisht për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Allaqi ishte pjesë e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK), dhe konsiderohet dëshmor i UÇK-së.
Në vitin 2015, presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga, e kishte dekoruar Allaqin si Hero të Kosovës.
Sipas ligjit në Kosovë, kjo dekoratë “u jepet personave që kanë bërë vepra sakrifice dhe trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Radio Evropa e Lirë u përpoq të kontaktonte pjesëtarë të familjes Allaqi për intervistë, por nuk mori përgjigje në asnjërin nga mesazhet e dërguara.
1993: “Mosmarrëveshja” me Thaçin dhe Sylën
Sipas përmbledhjes së aktgjykimit të Dhomave të Specializuara, Allaqi kishte pasur në vitin 1993 një “mosmarrëveshje serioze me Thaçin dhe Azem Sylën”, të cilët e akuzuan atë se kishte sjellë në LPRK një person të cilin e dyshonin si spiun serb.
Trupi gjykues konstatoi gjithashtu se, para zhdukjes së tij në vitin 1998, Allaqi ishte nën vëzhgimin e shërbimit të zbulimit të UÇK-së dhe se Thaçi dhe Veseli kishin kërkuar të njoftoheshin për praninë e tij në shtabin e UÇK-së në Drenoc.
11 qershor 1998: Allaqi shihet për herë të fundit
Sipas rrëfimit të bashkëshortes së tij, Nazmije Allaqi, në “Librin e Kujtimit të Kosovës 1998-2000”, botim i Fondit për të Drejtën Humanitare që dokumenton personat e vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës, Allaqi ishte parë për herë të fundit më 11 qershor 1998 në Prizren.
Ajo kishte thënë se Behajdin Allaqi kishte shkuar në drejtim të Shtabit të UÇK-së në fshatin Drenoc të Rahovecit, dhe nga aty ishte nisur drejt Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, që në atë kohë ishte në zonën e Drenicës.
Pas kësaj date, nuk ka të dhëna publike se Allaqi është parë i gjallë.
Çfarë konstatoi Gjykata Speciale?
Sipas përmbledhjes së aktgjykimit të 16 shtatorit 2026, Allaqi kishte shkuar në shtabin në Drenoc rreth 11 qershorit 1998.
Trupi gjykues konstatoi se Thaçi dhe Veseli kishin mbërritur më vonë dhe e kishin marrë Allaqin të prangosur.
Allaqi nuk u pa më, ndërsa trupi gjykues arriti në përfundimin se ai ishte vrarë.
Në përmbledhjen e aktgjykimit nuk bëhen publike të gjitha provat mbi të cilat është mbështetur ky konstatim.

1 nëntor 1998: Komunikata e UÇK-së
Më 1 nëntor 1998, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së publikoi Komunikatën Nr. 61, në të cilën thuhej se Behajdin Allaqi kishte rënë dëshmor në betejë. Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara e cilësoi këtë komunikatë si përpjekje për të fshehur atë që kishte ndodhur me Allaqin.
Sipas gjykatës, pas luftës Thaçi, Veseli dhe Azem Syla u përpoqën gjithashtu ta bindnin familjen e Allaqit, përmes ryshfeteve dhe premtimeve, që të hiqte dorë nga kërkimi i drejtësisë. Gjykata tha se familja i kishte refuzuar këto oferta.
Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe mund të apelohet.
Të dhënat e dokumentuara pas luftës
Në fillim të viteve 2000, sipas një dokumenti të publikuar në media pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara, Nazmije Allaqi thuhet se kishte raportuar tek organet e UNMIK-ut se bashkëshorti i saj ishte “marrë nga policia serbe”.
Në një përgjigje për REL-in, UNMIK-u nuk ka komentuar vërtetësinë e dokumentit, duke thënë se është i kufizuar në atë që mund të thotë, “duke pasur parasysh transferimin e kompetencave dhe të dosjeve” te autoritetet pasardhëse, ndërkombëtare e vendëse.
![]()
Nazmije Allaqi i kishte thënë hulumtuesve të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK) se “Selim Krasniqi dhe Bedri Zyberaj kishin dijeni për rrëmbimin [e Allaqit]”.
Krasniqi dhe Zyberaj, të dy ish-pjesëtarë të UÇK-së, janë kontaktuar në lidhje me rastin.
Krasniqi tha shkurt se nuk ka njohuri për rastin, ndërkaq deri në publikimin e këtij artikulli nuk është arritur të merret një koment nga Zyberaj.
Rrëfimi në librin “Syri i Shqiponjës”
Rasti i Allaqit përmendet edhe në librin “Syri i Shqiponjës” të ish-pjesëtarit të UÇK-së, Ilaz Kadolli.
Në libër, zhdukja e Allaqit përshkruhet si “likuidim pa gjyq”, për të cilin, sipas autorit, “Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së mban përgjegjësi politike, morale dhe ligjore”.
Libri i Kadollit u pranua si provë me kërkesë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, sipas një vendimi të vitit 2025 të Dhomave të Specializuara.
Megjithatë, nga dokumentet publike nuk është e qartë nëse pjesa e librit që trajton rastin e Allaqit ishte ndër materialet mbi të cilat trupi gjykues u mbështet konkretisht për konstatimet e tij për vrasjen.
I pyetur nëse ishte ftuar të dëshmonte për rastin e Allaqit, Kadolli tha për Radion Evropa e Lirë se nuk kishte pranuar të dëshmonte “për shkak të gjendjes shëndetësore”.
Çfarë thotë mbrojtja?
Avokati i Thaçit, Lluka Mishetiq, shkroi në platformën sociale X se trupi gjykues e kishte lidhur publikisht klientin e tij me vrasjen e Allaqit, edhe pse më parë kishte urdhëruar të gjitha palët të mos e diskutonin çështjen e Allaqit në seancë publike në gjykatë.
“Trupi gjykues e ka shpallur publikisht Thaçin fajtor për një vrasje, duke i mbajtur njëkohësisht provat mbi të cilën e bazoi këtë përfundim larg shqyrtimit publik. Thaçi do ta mirëpriste një shqyrtim të tillë publik të provave”, tha Mishetiq, më 17 shtator, një ditë pas aktgjykimit në Hagë.
Edhe avokati tjetër i Thaçit, Pierre-Richard Prosper, në një intervistë në televizionin Klan Kosova, kundërshtoi publikimin e përfundimeve pa informacionet që i mbështesin. Ai tha se mbrojtja kishte informacione dhe pyetje për rastin, por nuk ishte lejuar t’i diskutonte publikisht.
E pyetur nga Radio Evropa e Lirë në lidhje me rastin e Allaqit, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë tha se “nuk do të komentojë materiale që nuk janë bërë publike”.
A u hetua ndonjëherë në Kosovë zhdukja e Allaqit?
Pas luftës në Kosovë, në fillim të viteve 2000, UNMIK-u kishte kompetenca të plota ekzekutive dhe gjyqësore.
Ky mision nuk ka komentuar rastin e Allaqit, dhe nëse ka nisur hetime për të gjatë kohës sa ishte kompetent, përkatësisht deri në vitin 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë.
“Dosjet e mëparshme të UNMIK-ut lidhur me hetimet dhe ndjekjet penale për çështje penale iu transferuan [Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë] EULEX-it në vitin 2008, dhe mund të jenë transferuar më pas te autoritetet kompetente të Kosovës. UNMIK-u nuk komenton raste individuale që janë objekt i procedurave gjyqësore para gjykatave të pavarura”, thuhet në përgjigjen e UNMIK-ut për Radion Evropa e Lirë.
Në anën tjetër, as EULEX-i, që mori kompetencat pas UNMIK-ut, nuk komentoi nëse e ka trajtuar ndonjëherë rastin e Allaqit.
“Për shkak të përfundimit të mandatit ekzekutiv të EULEX-it në sistemin e drejtësisë në vitin 2018, rastet dhe dosjet e trajtuara nga EULEX-i iu dorëzuan autoriteteve të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e këtij misioni për Radion Evropa e Lirë.
As Prokuroria Speciale e Kosovës nuk është përgjigjur në atë se a ka pasur ndonjëherë hetime brenda sistemit ligjor të Kosovës në lidhje me rastin e Behajdin Allaqit, para se ai të trajtohej në Hagë.
