Nis vlerësimi i dëmeve nga breshëri e shirat në komunën e Rahovecit
Kryetari i Rahovecit, Smajl Latif, tashmë ka nënshkruar vendimet për formimin e komisioneve për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në bujqësi, amvisëri dhe ekonomi familjare, pastaj në infrastrukturë publike, shkolla, fusha sportive, rrugë, rrugica, kanalizime të shkaktuara nga breshëri dhe shirat e rrëmbyeshëm, që përfshinë këtë anë nga data 14 deri më 16 qershor.
Si pasojë dëme, të cilat vlerësohen si të konsiderueshme janë shkaktuar në fshatrat: Gexhe, Fortesë, Sopniq, Celinë, Krushë e Madhe, Brestoc, Hoçë e Vogël dhe në vetë qytetin e Rahovecit.
Zyrtarët komunal të emëruar nëpër këto komisione, nga sot kanë dal në teren për të mbledhur të dhënat dhe më pastaj të përgatitin raportin më në detaje rreth vlerësimit të dëmeve, shkallën e dëmtimit dhe koston e tyre.
Zyra për shtyp që vepron në kuadër të komunës, ka publikuar edhe emrat e anëtarëve të komisionit për vlerësimin e dëmeve. Në komisionin për amvisëri dhe ekonomi familjare janë: Esat Hoti kryesues, Njazi Sokoli, Gzim Makshana, Fidan Hoti dhe Asllan Mazreku. Në komisionin për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në bujqësi janë: Nysret Shala kryesues, Jeton Kryeziu, Ilvi Durguti, Selami Mashuku dhe Nesimi Sharku.
Pjesë e komisionit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në infrastrukturë publike, shkolla, fusha sportive, rrugë, rrugica, kanalizime janë : Sylejman Daka kryesues Venhar Topalli dhe Vadet Kadiri./gazetaeprizrenit.net/