18-04-2024

Gjykata e Apelit konfirmon pafajësinë për korrupsion ndaj ish-drejtorit Hasani

Gjykata e Apelit e ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, me të cilën është atakuar aktvendimi i Gjykatës Themelore të Prizrenit për hudhjen e aktakuzës kundër ish-drejtorit të Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, Bujar Hasani, i cili akuzohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Më vendimin e Apelit, përveç ish-drejtorit Hasani, janë liruar nga akuza edhe dy inspektorët e ndërtimit të Komunës së Prizrenit, Enver Bytyqi dhe Flurim Islami, për keqpërdorim të pozitës zyrtare, e po ashtu edhe dy qytetarë të Prizrenit, Burhamedin Bojaxhiu dhe Alban Osmani.

Gjykata e Apelit, vendimin e saj të 28 majit 2018, për refuzimin e ankesës së prokurorisë dhe konfirmimin e vendimit të gjykatës, e ka arsyetuar duke thënë se shkalla e parë shumë mirë ka arsyetuar hudhjen e aktakuzës kundër të akuzuarve në mungesë të provave të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë.

Apeli në aktvendimin e tij, ka thënë se nuk është i bazuar pretendimi i organit të akuzës se gjykata nuk ka vlerësuar provat nga shkresat e lëndës, pasi që ato prova janë vlerësuar dhe është ardhur në përfundim se nuk mbështesin dyshimin e bazuar mirë nëse veprat penale janë konsumuar nga të pandehurit.

Tutje, në vendimin e Apelit, thuhet se nga provat që gjenden në shkresat e lëndës tregohet për veprime të të pandehurve, por se në asnjë mënyrë nuk tregohet nëse ato veprime janë marrë për të përfituar për vete apo tjetrin dhe nëse i është shkaktuar dëm ndokujt.

Përndryshe, gjykatësja e rastit, Raime Elezi, më 12 mars 2018, pas mbajtjes së shqyrtimit të dytë, ka vendosur që të hudh poshtë aktakuzën kundër të akuzuarve Bujar Hasani, Enver Bytyqi, Flurim Islami, Burhamidin Bojaxhiu dhe Alban Osmani, me arsye se nuk ka fakte që mbështesin dyshimin e bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer veprat penale me të cilat akuzoheshin.

Elezi, vendimin e saj e ka arsyetuar se në aktakuzë në mënyrë të përgjithshme thuhet se të akuzuarit kanë kryer vepra penale, por se nuk tregohen veprimet konkrete të secilit të akuzuar me të cilat kanë mundur të kryejnë veprat penale me të cilat akuzoheshin, ose saktësisht cilat autorizime nuk janë zbatuar nga të pandehurit e në bazë të cilit ligj apo akti nënligjor.

Për të akuzuarin për uzurpim, Burhamedin Bojaxhiu dhe të akuzuarin për vetëgjyqësi, Alban Osmani, gjykatësja Elezi, në vendimin saj, ka thënë se ata kanë pasur një marrëveshje me Agjencinë Pyjore të Kosovës për shfrytëzimin e pronës dhe në asnjë mënyrë nuk mund të flitet se të njëjtit kanë kryer veprime në mënyrë të njëanshme.

Kundër vendimit të gjykatës, prokurori i rastit, Mehdi Sefa, brenda afatit ligjor, ka ushtuar ankesë në Gjykatën e Apelit, duke kërkuar që të anulohet vendimi për hedhje të aktakuzës, me arsye se gjykata, me rastin e vendosjes, nuk ka vlerësuar drejtë provat nga shkresat e lëndës.

Prokurori Sefa, ankesën e ka arsyetuar duke thënë se gjykata për të hedhur aktakuzën është thirrur në mungesë të provave, ndërsa në arsyetim është lëshuar në vlerësimin faktik dhe juridik të kualifikimit të veprave penale e që nuk është dashur ta bëjë në fazën para fillimit të shqyrtimit gjyqësor.

Sefa, në ankesë ka thënë se nëse gjykata ka pasur të paqartë dhe nëse i është dukur konfuze ajo, është dashur ta ftojë organin e akuzës në sqarime apo ta kthejë aktakuzën në plotësim dhe përmirësim, e jo ta hedh poshtë si të pa bazuar.

Ky rast zhvillohej në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, me të cilën, Bujar Hasani, Enver Bytyqi dhe Flurim Islami, akuzoheshin se kanë zvarritur nxjerrjen e konkluzionit për largimin e objekteve të të akuzuarve Burhanedin Bojaxhiu dhe Alban Osmani, të vendosura në mënyrë të paligjshme në pronë shoqërore.

Hasani akuzohej se nuk ka zbatuar konkluzionin e datës 12 dhjetor 2016, ndërsa të akuzuarit Bytyqi dhe Islami se kanë zvarritur nxjerrjen e konkluzionit prej vitit 2013 e deri në dhjetor 2016, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për të akuzuarit Bojaxhi dhe Osmani.

Ndërsa, Bojaxhiu akuzohej se ka uzurpuar pronën e Agjencisë Pyjore të Kosovës, duke vendosur në të një kioskë dhe një kamp-shtëpizë, pa u pajisur me leje nga organet kompetente komunale.

Alban Osmani akuzohej për veprën penale të vetëgjyqësisë sepse, sipas organit të akuzës, ka ushtruar në mënyrë arbitrare të drejtën që ka menduar se i takon, duke vendosur dy objekte të përkohshme në sipërfaqe prej 115 metra katrorë, pa u pajisur me leje nga organet komunale.

Ish-drejtori komunal, Bujar Hasani dhe inspektori Bytyqi, kanë qenë të akuzuar edhe në një rast tjetër për keqpërdorim të pozitës zyrtare, por janë liruar nga akuza e tillë prej Gjykatës Themelore të Prizrenit, për të cilat raste ka raportuar vazhdimisht “Betimi për Drejtësi”.

Asnjë koment

Comments are closed.