Nisi edicioni i 30-të i Festivalit Folklorik “Hasi Jehon”

Sot në mbrëmje është bërë hapja e Festivalit Folklorik “Hasi Jehon 2019”, i cili festival këtë vit shënon 30 vjetorin, që për tre ditë do të mbahet në Gjonaj të Hasit.

Pjesëmarrës në hapjen e këtij edicioni ishte edhe kreu i vendit, Hashim Thaçi, ku tha se ky festival është një nga më të vjetrit, që si i tillë ka ditur gjithmonë t’i bashkojë talentët më të mirë të Kosovës, dhe jo vetëm.

“Për mua sonte edhe si mik i juaji edhe si bashkëluftëtarë i juaji, por edhe si president, është një emocion i veçantë të marrë pjesë në këtë mbrëmje të Festivalit ‘Hasi Jehon’, që është një nga festivalet më të vjetra, por në të njëjtën kohë më tradicional dhe më të suksesshëm në shtetin e Kosovës. Një festival ky që e ka bashkuar gjithmonë talentët më të mirë edhe të Kosovës, dhe pas çlirimit të Kosovës, edhe të Shqipërisë, të shqiptarëve në Maqedoni, në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc, në Mal të Zi, por edhe të diasporës. Prandaj, ju keni qenë gjithmonë ata që i keni argëtuar njerëzit, i keni bashkuar njerëzit, pa dallim krahine, pa dallim se në cilin vend jetojnë shqiptarët, Hasi na ka bashkuar. Hasi na ka bashkuar edhe në luftë, prandaj ju sot keni kujt t’i këndoni. Luftëtarëve të lirisë, luftës që e kanë zhvilluar… Jeni njerëzit e bukës, të sofrës, të djersës, të mundit, të pushkës, të këngës, të lirisë”, tha Thaçi.

Në hapjen e festivali, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi tha se është kënaqësi që në këtë jubile, ky festival është organizuar nën patronatin e Ministrisë së Kulturës.

“Është kënaqësi shumë e veçantë që në emër të Qeverisë dhe në të njëjtën kohë, në emër të Ministrisë, të marrim nën përkujdesje këtë festival, meqë ka qenë jubile i 30-të i organizimit, pas gjithmonë parasysh që ky festival, ky ansambël malësori nga Hasi, ka ditur më së miri të ruaj traditat dhe vlerat, jo vetëm hasianët por gjithë popullori shqiptar. Andaj edhe për mua si ministër ka qenë nder dhe kënaqësi që të marrë nën përkujdesje dhe nën patronat organizimin e këtij festivali”, tha Gashi.

Haziz Hodaj, drejtor i Festivalit “Hasi Jehon”, tha se për këtë festival janë përzgjedhur shoqëritë kulturo artistike nga e gjithë hapësira shqiptare.

Ehat Oreshka, drejtor i Rinisë, Kulturës dhe Sportit në Komunën e Prizrenit tha se një organizim i tillë kërkon mund dhe sakrificë.

“Ky festival është një prej festivaleve më me renome në regjionin e Komunës së Prizrenit, dhe jo vetëm në këtë regjion, por edhe më gjerë. Të organizosh 30 festivale me të vërtetë kërkon shumë mund dhe sakrificë. Prandaj më lejoni që në emër të kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe në emër të drejtorisë së Kulturës, Riniaë dhe Sportit t’iu përgëzoj për të gjitha këto punë që keni bërë deri më tani dhe t’iu dëshiroj suksese në edicionet e radhës”, tha ai, raporton KosovaPress.