Nisma – AKR: S’e lusim Vetëvendosjen
Dy partitë që dolën të parat nga zgjedhjet e 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk do të pranojnë ta formojnë qeverinë e re me asnjërën nga partitë që kanë keqqeverisur në mandatin e kaluar, duke përjashtuar kështu një koalicion të mundshëm me Nismën dhe me AKR-në. Kësisoj, sipas analistëve vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja.
Ndërsa sekretari i përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli, për “Zërin” ka deklaruar se aktualisht nuk kanë zhvilluar kurrfarë bisedime me Lëvizjen Vetëvendosje për t’u bërë pjesë e qeverisë së re.
Për këtë gjë, siç ka thënë ai, duhet të pritet certifikimi i rezultateve finale të zgjedhjeve të 6 tetorit.
“Sido që të jetë koalicioni ynë është në Kuvend, kështu që do të presim të përfundojë procesi i certifikimit të rezultateve. Nuk ka pasur kurrfarë bisedime, sepse po presim certifikimin e rezultateve. Ne nuk i imponohemi askujt, mirëpo nëse ka dikush nevojë për ne, atëherë do të bisedojmë”, ka potencuar ai.
Madje ai ka thënë se koalicioni i tij nuk e ka patjetër hyrjen në Qeveri, mirëpo do të punojë gjithmonë në të mirë të interesave shtetërore.
“Në ende nuk kemi menduar a do të hyjmë në Qeveri ose jo. Nuk është që e kemi patjetër, por gjithmonë kemi vepruar dhe kemi punuar në koordinim të rregullave demokratike dhe në interes të shtetit të Kosovës. Në do të veprojmë gjithmonë në interes të shtetit”, ka shtuar ai.
Kurse anëtari i Nismës Socialdemokrate, Dardan Gashi, në një deklaratë për medie ka theksuar se sjelljet e LVV-së e kanë dëmtuar mundësinë për një partneritet në qeverinë e ardhshme.
“Tash i presim certifikimet e rezultateve, por natyrisht sjelljet e LVV-së nuk lënë hapësirë optimiste, janë të papranueshme, sepse një herë tentojnë të grabitin e pastaj ofendojnë e shajnë. Këto nuk janë shenja të mira për një partneritet të mundshëm”, ka thënë ai për “Zëri”.
Madje ai ka shtuar se nuk kanë pasur takime me LVV-në rreth futjes në qeverinë e ardhshme.
“Ende jemi larg prej koalicionit. Në kuptimin formal ne kemi pasur takime edhe më herët në nivel më të lartë me LDK-në, por jo me LVV-në”, është shprehur Gashi.