27-04-2024

NISMA në Prizren shënoi 5 vjetorin

Kryetari i Nismës, Fatmi Limaj, nga Prizreni ku u shënua 5-vjetori i degës së kësaj partie, deklaroi se Kosova po kalon në momente kritike dhe më shumë se kurrë shfaqet nevoja që politikanët të jenë të kujdesshëm me fjalët dhe vendi të mos e humbë orientimin e saj qenësor në temat e ditës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës tha se në vend ka lloj-lloj politikanësh që janë mjeshtër të politikave ditore të cilët synojnë t’ia humbasin orientimin Kosovës dhe t’ia ngadalësojnë rrugëtimin vendit në proceset e saj.

Ai tha se qëndrimet e Nismës nuk janë piskamë dhe zhurmë dhe se subjekti i tij nuk bën politika ditore, por ndërton politika strategjike dhe dëshmi është përvjetori i pestë i kësaj partie.

“Sot ma shumë se kurrë kemi nevojë mos me humb orientimin. Sot ka zëra jashtë e brenda Kosovës që duan këtij vendi me ia humb orientimin. Me ja ligështu pozicionet vendit tonë në negociata, me ja vonu rrugëtimin vendit tonë në vizionin strategjik dhe këto të arriturat që kemi bërë në 20 vjet në këtë vend me ia shtu dhimbjen vendit tonë. Ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos lejojmë askush të mos na humbë këtë orientim strategjik të përmbylljes njëherë e mirë të temave të mëdha për vendin”, deklaroi Limaj.

Kreu i Nismës duke folur për subjektin e tij tha se janë flamurtar të korrektësisë politike dhe se shpeshherë herë janë shndërruar në ura bashkëpunimi në çështjet e rëndësishme për vendin.

Limaj inkurajoi degën e Nismës e cila përfaqësohet në Asamblenë komunale me pesë këshilltarë dhe udhëheq me drejtori në Komunën e Prizrenit që të mbështesë ide dhe projekte në shërbim të qytetarëve, pavarësisht se kush i propozon ato.

Në këtë tubim foli edhe kryetari i degës së Nismës Socialdemokrate në Prizren, Zafir Berisha, i cili deklaroi se për një kohë të shkurtër, subjekti që përfaqëson ka arritur të bëhet pjesë vitale e qeverisjes lokale.

Ai tha se duan të shtrijnë rrymën socialdemokrate në çdo lagje të Prizrenit me angazhimin e pandërprerë të të gjitha strukturave të kësaj dege në këtë qytet.

Ai pati edhe një porosi për Partinë Demokratike të Kosovës e cila dikur ka udhëhequr me Komunën e Prizrenit duke thënë se ëndrrat e tyre për t’u rikthyer në pushtet nuk do të realizohen.

Liria e mendimit dhe veprimit është bërthama e një demokracie të mirëfillte, por jo e një demokracie që dikush e keqpërdor për interesa të ngushta”, deklaroi Berisha./tvpz

Asnjë koment

Comments are closed.