Shkruan: Qazim Morina
U mbush një dekadë pa praninë fizike të profesorit të nderuar Bajram Kurti, njërin ndër intelektualët, veprimtarët e palodhur dhe patriotët, që nuk e pushoi aktivitetin për 20 vjet. Ishte ndër prijatarët dhe një nga pjesëmarrësit më të rregullt në aksionin për pajtimin e gjaqeve. Ka vepruar pa ndërprerë gjatë dekadës së fundit të shekullit XX, për pajtimin dhe tejkalimin e ngatërresave në mes të familjeve, veprimtari të cilin e ka vazhduar edhe në fillim të dekadës së parë të këtij shekulli, duke e zgjeruar edhe me përshkrimin e aktiviteteve kombëtare të dëshmorëve e heronjve.
Kauza kombëtare ishte përkushtimi i tij në vitet kur Kosova vlonte nga energjia studentore për avancimin e pozitës politike të shqiptarëve dhe të drejtave të tyre në ish-Jugosllavi. Përderisa vlerësonte ecurinë e proceseve të atëhershme, ndër tjera, ai kishte theksuar se duke pasur parasysh 24 projektet shtetërore
Profesor Kurti ishte me origjinë nga fshati Smolicë e Malësisë së Gjakovës. Punoi në arsim, deri në vitin 1982, kur për shkaqe politike u largua nga ky proces. Më vonë jetoi në Prizren. U shqua sidomos në aksionin e famshëm për Pajtimin e Gjaqeve, të prirë nga profesori i urtë, Anton Çeta dhe studentët, që mundësoi t’i jepet fund hasmërive dhe vëllavrasjes në mes të shumë familjeve shqiptare, duke e promovuar sërish shoqërinë dhe familjarizimin.
Duke qenë pjesë e Lëvizjes Gjithëpopullore për Pajtimin e Gjaqeve, bashkë me bashkëpunëtorë të tjerë, ai ishte në krye të Këshillit të Pajtimit në Prizren. Pjesë e grupit me të nga Prizreni ishin edhe Xhafer Kabashi, Shyqeri Shehu, Hasan Ibri, Nazmi Kolloni, Shefki Bytyçi, e të tjerë.
Kurti ka punuar pareshtur, duke nga shtëpia në shtëpi, duke trokitur nga dera në derë për të ndikuar tek shumë familje në tejkalimin e paragjykimeve dhe të hasmërive dhe për ta mundësuar shtrëngimin e duarve të pajtimit.
Djali i tij, Shkumbini kujton se ndonëse familja jetonte në një hapësirë prej 40 metrash katrorë, në banesën e tyre kishte vend jo vetëm për veprimtarët e pajtimit, por edhe për gjithë hallexhinjtë, që kërkonin zgjidhjen e problemeve. “Kujtoj një rast të pajtimit në fshatin malor Struzhe të Prizrenit, kur isha me babën dhe pashë gatishmërinë e pajtimtarëve për të arritur shtigjet më të largëta, por edhe zemërgjerësinë e banorëve për t’i përkrahur ata, në zhdukjen e kësaj plage”, shprehet ai.
Anëtari i këshillit të Pajtimit të Gjaqeve në Prizren, Shyqeri Shehu (tashmë i ndjerë) e pat përshkruar profesorin Kurti, si shembull të një prijatari dhe unifikuesi drejt vëllazërimit mes njerëzve, duke qenë i pashembullt si frymëzues i iniciativave të ndryshme familjare e shoqërore drejt atyre madhore kombëtare. “Ishte një beden i pathyeshëm kundër mosangazhimit dhe përçarjeve ndaj çështjes kombëtare, duke kultivuar unitetin”, kujton ai.
Profesor Kurti vazhdoi të jetë mjaft aktiv në terren edhe pas çlirimit të Kosovës, duke grumbulluar material për luftën e dëshmorët e kombit.
Ka shkruar rreth 20 libra voluminoze për dëshmorët e kombit “Gjaku i lirisë”, një monografi kushtuar profesorit të respektuar në Prizren: “Profesor Qazim Berisha- yll i pashuar në plejadën e heronjve të arsimit dhe edukatës”.
Veprimtari dhe pajtimtari, Fetah Bekolli duke kujtuar profesor Bajram Kurtin, thotë se kur i kërkohet një gjë e tillë, ndjehet shumë përgjegjës, andaj edhe ka frikë se nuk mund ta thotë tërë atë çfarë e ka merituar Kurti. “Ishte i palodhshëm, uragan i pandalshëm ndër pajtimtarë, për tejkalimin e situatave konfliktuoze duke çuar ujin në drejtim të çështjes kombëtare”, thotë ai.
Profesor Kurti ishte vlerësuar lartë edhe nga intelektual shqiptar. Në këtë kontekst veterani i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe historiani i njohur i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Myftar Memia, në një letër që ia kishte dërguar Kurtit, pas leximit të veprës së tij madhore “Gjaku i Lirisë (7-8)”, ndër tjera kishte shkruar:
“I nderuari vëlla Bajram Kurti! Edhe sikur të botohen male me libra, kushtuar dëshmorëve e heronjve të kombit që vaditën me gjakun e tyre atdhetar çdo pëllëmbë të trojeve tona arbërore, brezat e sotëm e ata pasardhës nuk mund t’ua shpërblejmë. Por, obligim yni dhe i brezave pasardhës është: të mbrojmë me gjak idealet e tyre të pavdekshme, për të cilat ata u flijuan”.
Me përshkrimin e disa prej rënieve heroike të djemve e vajzave në fushëbeteja me pushtuesin serb, ai ka ngritur një monument pavdekësie në Panteonin e lartë gjithëkombëtar.
Në shenjë respekti, emrin e tij tashmë e mban një rrugë në Prizren.