23-11-2024

Një i plagosur në Gjakovë, tentoi të vetëvritej

Një person i moshës rreth 50 vjeçare, ka tentuar t’i marrë jetën vetës në pasditen e sotme në Gjakovë. Policia e Kosovës e ka konfirmuar rastin dhe ka njoftuar se një person është plagosur në Gjakovë rreth orës 17:45.

Zëdhënësja së Policisë për rajonin e Gjakovës, Lirie Podrimaj ka njoftuar për KP se dyshohet se një person rreth 50 vjeçar ka tentuar të bëjë vetëvrasje, por është parandaluar nga familjarët.

“Më 30.08.2018 në ora 17:45, stacioni policor në Gjakovë ka pranuar informacion nga Emergjenca e spitalit rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë se kanë pranuar një person të plagosur me armë zjarri. Policia ka identifikuar lokacionin në rrugën “Tivari” në Gjakovë, të gjitha njësitë relevante kanë dalë në vend ngjarje”, tha Podrimaj.

Ajo shtoi se bazuar në informatat e para nga familjarët e viktimës, personi me inicialet Sh. K. i lindur në vitin 1968, kishte tentuar të vetëvritej me armë me ç’rast kishin ndërhyrë familjarët, të cilët menjëherë ia kanë marrë armën dhe e kanë dërguar në Emergjencë.

Viktima është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në QKUK, ndërsa Policia e ka konfiskuar një armë në vendin e ngjarjes./koha.net

Asnjë koment

Comments are closed.