25-04-2024

Një milion dollarë për Shqipërinë “pa COVID”

Qeveria e Shqipërisë ka miratuar një fond prej një milion dollarësh me qëllim që të promovohet si vend me moton “COVID free” (Pa COVID). Fondi do të shërbejë që Shqipëria të reklamohet në tregjet e huaja si vend që s’ka kufizime e masa kundër pandemisë për turistët e huaj.

Shqipëria s’pati vendosur kufizime e masa për turistët as vitin e shkuar. Kryeministri Edi RAma ka deklaruar më herët se përgjatë verës do të hiqen të gjitha kufizimet e brendshme.

Shumë vende tashmë kanë nisur reklamimin për të tërhequr sa më shumë turistë, por edhe ky sezon do të mbetet një test se si do të jetë ecuria e turizmit, edhe pse mendohet se do të jetë padyshim më i mirë se një vit më parë.

Vaksinimi i qytetarëve brenda e jashtë vendit është një element i shtuar që turistët t’i rikthehen normalitetit.

Shqipëria, këtë vit ka shumë shanse të mirëpresë një bum të vërtetë turistësh nga e gjithë bota. Megjithatë, Shqipëria ka varur shpresat nga Kosova edhe për këtë sezon turistik, i dyti në kohë pandemie.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka zhvilluar një takim me operatorët turistik në vend për sezonin e ri të turizmit. Rama ka deklaruar se Qeveria ka mësuar nga sezoni i kaluar, dhe ka premtuar se kësaj radhe kufiri me Kosovën do të jetë absolutisht i hapur për mikpritjen e turistëve si dhe operatorët turistikë do të kenë sa më pak shtrëngesa.

Kosova ka mbajtur gjallë turizmin në Durrës, thonë përfaqësues të hotelerisë atje. Sipas përfaqësuesve të hoteleve, turistët më të shumtë janë nga rajoni i Ballkanit, vendet e Bashkimit Evropian dhe ato nordike. Por, për shkak të pandemisë fokusi për sivjet do të jetë te shtetet e Ballkanit.

Në Shqipëri deri tash janë kryer mbi 632 mijë vaksinime.

Asnjë koment

Comments are closed.