Një person nga Prizreni dhe një nga Rahoveci ndërrojnë jetë nga koronavirusi

Siç njoftohet njëri rast është A.M. 56 vjeçar nga komuna e Rahovecit, për të cilin thuhet se përveç infeksionit me COVID-19 kishte edhe sëmundje tjera shoqëruese.

Poashtu njoftohet se sot në orën 10:30, ka vdekur pacienti me inicialet H.K, viti i lindjes 1959 nga Prizreni, i cili ishte i pranuar në Njësinë Intensive në Qendrën e Mjekësisë Sportive ( NjIQMS) me datë 23.06.2020, si transfer nga Klinika e Pulmologjisë, i konfirmuar me strisho pozitive për COVID-19.

Gjithashtu SHSKUK ka bërë të ditur se dje, në Klinikën Infektive ka vdekur pacientja H.B. 1958 nga komuna e Prizrenit.

Tutje është bërë e ditur edhe për rastet me COVID-19 që po trajtohen në QKUK.

“Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, sot me 26.06.2020, janë të hospitalizuar 101 raste. Sot, nga klinika do të lirohen 16 raste, 13 raste Covid-19 pozitiv në gjendje stabile në vetizolim në shtëpi si dhe 3 të shëruar nga infeksioni me Covid -19. 44 raste janë duke u trajtuar në reparte me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, në repartin e Mjekimit Intensiv janë duke u trajtuar 5 raste, 2 raste janë në gjendje të rëndë duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive, si dhe 3 raste janë në gjendje kritike me frymëmarrje të asistuar me respiratorë.