Një pjesë e Ministrisë së Kulturës nga sot në Prizren
Paralajmërimet për zhvendosjen e një pjese të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit nga Prishtina në Prizren do të konkretizohen sot, ndërsa me hapjen e zyrave në këtë qytet, Prizreni është i pari pas kryeqendrës, që do të ketë një sektor qeveritar, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Në objektin që është caktuar të jetë selia e parë e një ministrie në qytetin e dytë për nga madhësia në vend, tashmë janë bërë gati mjediset e punës për vendosjen e një pjesë të stafit të MKRS-së, një pjesë e të cilës bashkë me ministrin e saj Kujtim Gashi janë nga Prizreni.
Në ceremoninë zyrtare që do të mbahet sot në orën 13:00, do të merr pjesë edhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit, si dhe pritet edhe pjesemarrja e kryeministrit Ramush Haradinaj.
Zyrat ndodhen në objektin që gjendet në sheshin “Shatërvan”, në ndërtesën e ish-drejtoratit të arsimit, që më pas ishte shndërruar në ndërtesën e ish-rektoratit të Universitetit të Prizrenit.
Në Prizren parashihet të zhvendoset një pjesë e kabinetit, përfshirë Departamentin e Inspektoratit, atë të Trashëgimisë Kulturore si dhe një pjesë e Departamentit të Kulturës.
Transferimi bëhet në përputhje me synimet e ministrisë për të bërë decentralizimin e shërbimeve nëpër të gjitha regjionet e Republikës./GazetaePrizrenit.net/