Një varg aktivitetesh për mërgimtarët në Malishevë
Në kuadër të shënimit të “Java e Mërgimtarëve” në Komunën e Malishevës, gjatë ditës së sotme po mbahen në varg aktivitetesh kulturore, që për qëllim kanë prezantimin e vlerave të trashëgimisë dhe të kulturës, dhe aktivitetet e përbashkëta me dhe për mërgimtarët.
Në këto aktivitete, krahas mërgimtarëve, po marrin pjesë edhe zëvendësministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Mazreku, zëvendësministri i Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Afrim Bekteshi, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, dhe qytetarë të shumtë.
Sot, aktivitetet kanë filluar me “Sofrën e Diasporës”, të organizuar nga instituti “LEDS”, në kuadër të programit “Dilni Fest 2018”. Në këtë organizim të sotëm, nënkryetari i Malishevës, Hajdin Berisha, duke folur për rëndësinë e këtyre aktiviteteve për mërgimtarët tanë, tha se “dashuria ndaj atdheut është më e madhe se çdo gjë tjetër, prandaj ne kurrë nuk guxojmë të themi se është bërë mjaft dhe për këtë qëllim, edhe ne si komunë, po organizojmë një varg aktivitetesh, të cilat kanë filluar ditë më parë dhe do të përfundojnë me organizmin e festivalit folklorik “Oda e Llapushës”, që mbahet sonte dhe nesër mbrëma”.
“Ruajtja e kulturës dhe gjuhës, është një obligim i të gjithëve, pasi gjeneratat e reja, që jetojnë jashtë vendit, duhet të kultivojnë këtë kulturë dhe traditën shqiptare, prandaj, për të gjithë ju mërgimtar, kjo mbetet një luftë e kohës”, tha nënkryetari Berisha, duke i porositur prindërit, që t’iu mësojnë dhe kultivojnë gjuhën dhe kulturën e bukur.
Zv/ministri i MKRS-së, Rexhep Mazreku, foli për rolin që diaspora ka luajtur në të gjitha etapat e zhvillimeve politike, sikur edhe për rolin e saj në luftën e UÇK-së.
Aktiviteti i sotëm është hapur nga drejtori ekzekutiv i institutit “LEDS”, Samir Morina, i cili prezantoi në tërësi aktivitetet e organizuara në kuadër të javës së mërgimtarëve, përkatësisht programit që ata kanë organizuar me moton “Dilni Fest 2018”, si dhe i ka falënderuar të gjithë për pjesëmarrje dhe për kontributin e dhënë në këto aktivitete.
Një falënderim për këto aktivitete e ka bërë edhe aktivistja e mërgatës Ganimete Bajraktari, e cila i ftoi të gjitha institucionet dhe prindërit, që të punojnë shumë, në mënyrë që gjeneratat e reja në mërgim, të mos e harrojnë gjuhën, traditën, kulturën dhe vendin e tyre.
Pas këtij aktiviteti, është hapur edhe panairi tradicional me veshje dhe ushqime tradicionale shqiptare, e në veçanti nga treva e Malishevës. Ky panair, mbahet çdo vit, në ditët kur mbahet edhe festivali folklorik “Oda e Llapushës”, dhe është pjesë e këtyre organizimeve, në kuadër të shënimit të “java e mërgimtarëve”.
Ndërsa aktivitetet do të vazhdojnë sot me sesionin shkencor “Folklori në trevën e Llapushës”, dhe aktivitetet përmbyllen me dy net të festivalit mbarëkombëtar të folklorit “Oda e Llapushës”, edicioni i pestë, që mbahet me 1 dhe 2 gusht.