Nuk gjen zbatim udhëzimi i ri për zgjedhjen e drejtorëve të shkollave
Ndonëse ka hyrë në fuqi qe gjashtë muaj, Udhëzimi Administrativ për detyrat, përgjegjësitë, procedurat dhe kriteret e zgjedhjes së drejtorit, dhe të zëvendësdrejtorit të institucionit publik edukativo-arsimor dhe aftësues parauniversitar, nuk është duke gjetur zbatim.
Drejtoritë komunale të arsimit nëpër komuna e kanë pezulluar zgjedhjen e drejtorëve të shkollave pasi konsiderojnë se udhëzimi është në kundërshtim me Ligjin për arsimin parauniversitar dhe Ligjin për komuna. Për këtë, ato kërkojnë që ky dokument i Ministrisë së Arsimit i nënshkruar nga ministri në largim, Shyqiri Bytyqi, të anulohet, shkruan sot Koha Ditore.
Sipas Ligjit për arsimin parauniversitar, Ligjit për komuna dhe Udhëzimit të vjetër për zgjedhjen e drejtorëve, komisionin vlerësues për zgjedhjen e drejtorëve e përbëjnë dy anëtarë të drejtorive komunale dhe një përfaqësues i MASHT-it.
Ndërkaq, me udhëzimin e ri përcaktohet se komisioni vlerësues i kandidatëve përbëhet nga një anëtar i Drejtorisë Komunale, një përfaqësues i prindërve i nivelit komunal dhe një përfaqësues i MASHT-it.
Ndërkaq në cilësinë e vëzhguesve do të jenë dy përfaqësues të Këshillit drejtues të shkollës, një prind dhe një mësimdhënës. Emërimin e bën në fund kryetari i komunës në bazë të rezultateve të komisionit.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ishte zotuar se përmes këtij dokumenti synon depolitizimin e shkollave. Por drejtorët komunalë të arsimit dhe përfaqësues të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) konsiderojnë se me këtë udhëzim nuk do të ketë depolitizim. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)