Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve nga rajoni i Prizrenit, Prishtinës, Ferizajt, por edhe viseve të tjera, kanë preferuar ta kalojnë fundjavën në malet piktoreske të Prevallës, shkruan ‘Gazeta e Prizrenit’.
Prevalla, që shtrihet në masivin e maleve të Sharrit, në lartësi mbidetare prej 1500-1800 metra, preferohet shumë për relaks, pasi aty gërshetohen dy rryma të ajrit-mesdhetar dhe i bjeshkëve të Sharrit.
Kjo pjesë që është ndër vendet më interesante dhe më të preferuara, sot ka qenë e mbushur si rrallëherë me njerëz e automjete.
Prevalla gjendet në kuadër të Parkut Kombëtar Malet e Sharrit. Ajo që të binte në sy sot ishte se përpos që veturat ishin futur në pjesë të ndryshme skaj rrugës, ato po ashtu kanë lëvizur dhe janë stacionuar deri buzë rrjedhës së lumit, në luginën thellë malit.
Ndërkohë nga pushuesit ditor kërkohet më shumë vëmendje, për mirëmbajtjen e mjedisit, pas largimit të tyre. /GazetaePrizrenit.net