24-11-2024

Numri i kosovarëve që u evakuuan nga Izraeli

Dyzet shqiptarë – mes tyre shtetas nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut – u evakuuan mbrëmjen e së dielës nga Izraeli në Shqipëri, bëri të ditur Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë.

Izraeli shpalli gjendje lufte, pasi u sulmua nga militantët palestinezë të Hamasit më 7 tetor.

Në përgjigje, ushtria izraelite nisi bombardimin nga ajri të Rripit të Gazës.

Mbi 1.000 njerëz u raportuan të vrarë nga të dyja palët.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë tha se evakuimi i 40 shqiptarëve është bërë pas kërkesës së tyre për t’u larguar nga Izraeli.

Zyrtarë të saj konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se në mesin e tyre janë dy nga Kosova dhe nëntë nga Maqedonia e Veriut.

“Në ditët në vijim do të ketë sërish të tjera fluturime të posaçme drejt Tel Avivit, ndërkohë që Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është në koordinim edhe me ministritë simotra të vendeve të rajonit për t’u ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve që kërkojnë të kthehen në vendet e tyre”, tha kjo ministri pas mbërritjes së avionit në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë, mbrëmjen e së dielës.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua gjatë ditës Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, në lidhje me shtetasit e Kosovës në Izrael dhe evakuimin e tyre të mundshëm, por nuk mori përgjigje.

Më herët, përmes një videoje në rrjetet sociale,ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe, tha se po bëhet gjithçka e mundur për t’i larguar nga Izraeli shtetasit shqiptarë.

“Janë orë të vështira për ne këtu në Izrael, por në emër të Qeverisë shqiptare garantoj shtetasit shqiptarë dhe familjet e tyre, që nën drejtimin e Ministrisë sonë të Jashtme dhe autoriteteve izraelite, po ndiqen të gjitha procedurat për sigurinë e tyre gjatë qëndrimit dhe largimit drejt Shqipërisë. Ka vëmendje maksimale për shtetasit tanë, për punonjësit dhe familjarët e ambasadës, si dhe për shtetasit nga Kosova, Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut”, tha ambasadorja Kumbe.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë vuri në dispozicion numrin +972 54 904 2813 për të gjithë qytetarët shqiptarë që ndodhen në Izrael dhe kanë nevojë për informacione për largimin e tyre prej andej.

Asnjë koment

Comments are closed.