Nxënësit pa libra, Ministria e Arsimit në gjumë

Fillimi i vitit të ri shkollor e ka zënë MASHT-in të papërgatitur, ashtu sikurse ka ndodhur shpesh herë në Kosovë.

Ndonëse po përfundon java e tretë e fillimit të mësimit, nxënësit e klasave të 10-ta dhe të 11-ta ende nuk kanë tekste shkollore.

Ata po detyrohen të marrin shënime sikurse në vitet e `90 kur ishte i paralizuar sistemi arsimor, për shkak të konfuzionit që është krijuar nga Ministria e Arsimit.

Mësimdhënësit e shkollave të mesme ende janë në hamendje se me çfarë librash duhet të shërbehen nxënësit. Për rrjedhojë ata nuk i kanë njoftuar nxënësit e as prindërit se çfarë librash duhet t`i blejnë duke qenë se ato sigurohen nga buxheti i familjeve. Ata thonë se shumica e teksteve shkollore që janë përdorur në vitet e kaluara për klasat e dhjeta dhe të njëmbëdhjeta, nuk vlejnë për këtë vit pasi Ministria e Arsimit ka paralajmëruar se sivjet do të dalin nga shtypi tekstet e reja shkollore.

Në tërë këtë paqartësi, duke u gjendur në këtë situatë konfuze, secili prej mësimdhënësve po i “grahë” me të vetën me kombinime mësimeve nga tekste të ndryshme.

Prindërit në Shkollën e Mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë kanë shprehur shqetësimin e tyre për këtë gjendje.

“Kjo gjë është skandaloze dhe e paimagjinueshme. Po përfundon gati muaji prej fillimit të vitit të ri shkollor e Ministria ende nuk i ka siguruar librat për nxënësit. Për çfarë arsimi bëhet fjalë kur fëmija im nuk di se prej çfarë libri duhet të mësojë? Me çka merret ai ministër që ka përgjegjësinë për tu kujdesur për këta fëmijë. Ndoshta nuk po i del punë për shkak të fushatës duke vrapuar për vota”, ka thënë i revoltuar një prind.

Ndërkohë, ironia tjetër në këtë situatë është se drejtori i Gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, Fetah Zejnullahu nuk ia ka idenë nëse shkolla që ai udhëheqë është e pajisur me tekste të reja shkollore apo jo.

Zejnullahu ka thënë për Gazetë Sinjali, se nuk ka informata të tilla, madje as nuk i ka pyetur mësimdhënësit dhe nxënësit me cilat tekste shkollore po punojnë.

“Nuk i kam bash informatat e sakta cilat libra kanë filluar të përdoren mirëpo shumica janë që po punojnë me kurikulë të re”. Nuk kam informata prej aktiveve profesionale, me ju thënë të drejtën ende nuk i kam pyetur aktivet profesionale, mirëpo e di për shembull fizika është e re dhe është duke u përdorë sepse vetë jam në atë profesion”, ka deklaruar Zejnullahu për Gazetën Sinjali.

Lidhur me këtë problematikë, Ministria e Arsimit ka zgjedhur heshtjen. Gazeta Sinjali ka kontaktuar para dy ditësh me këshilltarit politik në kabinetin e Ministrit të Arsimit, Valmir Gashi i cili ka kërkuar që lidhur me këtë cështje t`i drejtohemi zyrës për informim. E kontaktuar përmes telefonit, udhëheqësja e divizionit për komunikim publik në MASHT-it, Besa Bytyqi ka kërkuar që pyetjet t`i dërgohen me shkrim. Por as pas pranimit të pyetjeve zyrtarët e MASHT-it qe dy ditë nuk i janë përgjigjur Gazetës Sinjali ndërsa më nuk e kanë hapur as telefonin.