25-04-2024

Opozita e Prizrenit do seancë të jashtëzakonshme për drejtorët me aktakuzë të Haskukës

Opozita duket se po kërkon mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal (KK) në Prizren për të kërkuar dorëheqje të drejtorëve me aktakuza ndaj katër drejtorëve të ekzekutivit prizrenas, të drejtuar nga Mytaher Haskuka.

Kryetari i PDK-së në Prizren, Shaqir Totaj dhe shefi i Grupit të këshilltarëve të AAK-së në KK, Ilir Baldedaj, konfirmuan për portalin “GazetaePrizrenit.net” se tashmë ka nisur mbledhja e nënshkrimeve të kuvendarëve, ndërsa pritet që në fillim të javës edhe zyrtarisht ta dorëzojnë kërkesën për mbajtjen e seancës.

Një kërkesë e tillë e opozitës, që ka numrin e mjaftueshëm për të kërkuar mbledhje të jashtëzakonshme,  vjen pas disa reagimeve të saj përmes konferencave për medie, si dhe të përfaqësuesve të shoqërisë civile pas ngritjes së aktakuzave të fundit për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndaj katër drejtorëve komunal nga Prokuroria në Prizren.

Në fakt brenda dy vitesh, prej kur qeverisjen komunale e ka marrë Haskuka i Vetëvendosjes janë ngritur aktakuza ndaj pesë drejtorëve të tij:  Ertan Simitçi,  Levent Kasëmi, Fejzë Kabashi, Refik Shaqiri dhe së fundi Islam Thaçi.

Derisa tash për shkak të presionit të shoqërisë civile, medies dhe më në fund edhe të ambasadorit amerikan në Kosovë, para mbajtjes së zgjedhjeve të tetorit, ka dhënë dorëheqje ish-drejtori për Ekonomi e Financa, Simitçi.

Por, përkundër që ndaj tij ka filluar procesi gjyqësor, mësohet se Simitçi po i kërkon Haskukës, ta rikthejë në vendin që ka mbetur vakant prej 4 muajsh.

Për shkak se qeverisja e Haskukës ka numrin më të madh të anëtarëve me aktakuza pas luftës, PDK në opozitë e ka vlerësuar si kampione me drejtorë dhe zyrtarë me aktakuza, madje duke kërkuar edhe dorëheqjen e vetë kryetarit Haskuka.

Ndryshe, dorëheqjen e të drejtorëve me aktakuzë e kanë kërkuar edhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Naim Cahani, përfaqësues i KDI-së, ka shkruar se s’ka më keq, kur kjo ndodh në një qeverisje, e cila rezultoi me shpresën për ndryshim, me ndryshim të qasjes dhe rikthimit të besimit të qytetarëve për një qeverisje ndryshe: pa afera, pa aktakuza dhe që punon për interesin e përgjithshëm qytetarë.

Ai madje ka kërkuar që lideri i VV-së, Albin Kurti duhet të kërkojë llogari nga Haskuka për “katrahurën e krijuar në Prizren”.

Ndryshe, me kërkesë të opozitës, KK i Prizrenit në këtë përbërje ka mbajtur katër mbledhje të jashtëzakonshme, ndër to atë për mosmbajtjen e festivalit racional “Zambaku i Prizrenit”, gjendjen në arsim para një viti, situatën e krijuat në klubin e futbollit “Liria”. /GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.