Opozita kërkon që 30 mijë eurot për dekorimin e Prizrenit të shpenzohen për kategoritë sociale

Komuna e Prizrenit gjatë kësaj jave ka publikuar tenderin për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit. Në njoftimin e organeve komunale shkruan se vlera e parashikuar për këtë kontratë është 30 mijë euro.

Mirëpo partia më e madhe opozitare këtë tender po e konsideron jo vetëm të panevojshëm, por edhe provokues për shkak të situatës së rëndë shëndetësore dhe ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19, raporton KOHA.

Koordinatori i Degës së PDK-së në Prizren, Jeton Bytyçi, ka theksuar se subjekti i tij ka kundërshtuar shpenzimin e mjeteve për dekorim, për shkak se qytetarët aktualisht kanë nevoja të tjera.

Sipas tij, PDK-ja ka propozuar që këto mjete financiare të orientohen për përkrahjen e nevojtarëve.

“Mjetet e destinuara për dekorim të qytetit të ndahen për familjet në nevojë, me asistencë sociale si dhe për studentët dhe nxënësit, që ti ndjekin mësimet e tyre në mënyrë sa më cilësore”, tha Jeton Bytyçi – Koordinator i Degës së PDK-së, Prizren.

Në anën tjetër, nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Visar Shehu, ka sqaruar se bëhet fjalë për zbatimin e një projekti të planifikuar me buxhetin e vitit 2020, i votuar vitin 2019, kur rrethanat e krijuara nga pandemia nuk ekzistonin.

“Ne sivjet nuk kemi pas as rishikim të buxhetit për me i ndërrua pozicionet buxhetore, kështu që rrjedhimisht ne nuk mundemi me i ndërrua kodet buxhetore pa rishikim dhe çdo ndërhyrje apo keqpërdorim i kodeve buxhetore është keq klasifikim apo llogaritet si shkelje ligjore për shkak se buxheti është ligj”, tha Shehu.

Vitin e shkuar tenderi për dekorimin e Prizrenit për festat e fundvitit pati dështuar.

Komuna e Prizrenit dekorimin e qytetit vjet e pati bërë në bashkëpunim me bizneset lokale.