Opozita reagon për telashet me ndriçimin publik dhe semaforët në Prizren

Mos funksionimi adekuat i ndriçimit publik dhe semaforëve në pjesë të caktuara të qytetit të Prizrenit rishtazi ka nxitur reagimin e opozitës. Dega e Nismës Socialdemokrate në Prizren ka shprehur shqetësimin se telashet me ndriçimin publik si dhe me semaforët po kanë ndikim negativ në sigurinë publike dhe në komunikacion. Ky subjekt politik ka vlerësuar se Viti i Ri në Prizren ka filluar me probleme të vjetra dhe përgjegjësinë për këtë ia ka adresuar lidershipit komunal dhe partisë së tij.

“Nisma Socialdemokrate – Dega në Prizren shprehet e shqetësuar për degradimin e qytetit të Prizrenit nga keqqeverisja, pasojat e të cilës po i vuajnë qytetarët. Mungesa e ndriçimit publik në shumë rrugë dhe rrugica ka rritur pasigurinë në qytet, ku ka ndikuar edhe në rritjen e dukurive negative, sidomos vjedhjeve dhe plaçkitjeve të pasurisë së qytetarëve”, thuhet në komunikatën e kësaj partie opozitare. Tutje theksohet se telashe të ngjashme ka edhe me funksionimin e semaforëve, shkruan koha.net.

“Me muaj apo edhe vite shumë semaforë në Prizren nuk punojnë, gjë që të lë përshtypjen si një shtëpi pa zot shtëpie, e që ka bërë të ketë një çrregullim total në lëvizjen e lirë dhe normale, pasojat e të cilave janë vërejtur sidomos gjatë festave të fundvitit”, ka shkruar Nisma.

Edhe këshilltarja e AAK-së, Agnesa Sinanaj në seancën e fundit të Kuvendit të Prizrenit ka deklaruar se funksionimi i semaforëve po del të jetë problem i madh i qeverisjes në këtë komunë. “Nga 5 sosh, 3 prej tyre nuk punojnë… Në Prizren nuk po shihet dora e pushtetit. Edhe rregullimi i semaforëve është ndihmë dhe obligim ndaj qytetarëve”, ka thënë ajo.

Shqetësimet lidhur me ndriçimin publik e semaforët në qytet janë adresuar nga përfaqësuesit e bizneseve dhe qytetarët edhe në takimin e fundit publik, ku Ekzekutivi komunal ka raportuar për punën njëvjeçare.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Osman Krasniqi në këtë takim ka njoftuar pjesëmarrësit se për projektin e ndriçimit publik ende nuk janë përmbyllur procedurat e prokurimit.

“Shpresojmë se projekti për ndriçimin publik dhe mirëmbajtjen e tij do të kalojë fazën e prokurimit. Sa për informatë, qe më se një vit projekti i ndriçimit publik është në prokurim dhe nuk e kemi ende aktiv”, ka thënë Krasniqi. Ndërsa sa i përket semaforëve ai ka theksuar se ekziston një kontratë.

“Operatori bartës i asaj kontrate sipas vlerësimeve që i kemi momentalisht nuk është në nivel të kërkesave tona dhe urdhrave për punë, për çështjen e semaforëve në tërë qytetin”, ka deklaruar zyrtari i lartë komunal, duke shtuar se kjo vërejtje e qytetarëve qëndron dhe se këtë vit do të ketë angazhime për gjetjen e zgjidhjeve adekuate, përfshirë aplikimin edhe të rrethrrotullimeve.

“Mendojmë se në fillim të këtij viti do të startojmë seriozisht në zgjidhjen e nyjeve qarkulluese, me semaforë apo rrethrrotullime, çështje që do ta zgjidhim në bashkëpunim me kompetentet për komunikacionin në qytetin e Prizrenit”, është shprehur Krasniqi.

Në anën tjetër zëdhënësi i Policisë rajonale të Prizrenit, Vesel Gashi ka vlerësuar se mosfunksionimi i ndriçimit publik ndikon në krijimin e ndjenjës së pasigurisë te qytetarët dhe krijon hapësirë për keqbërësit. Në këtë aspekt ai ka veçuar edhe mosfunksionimin e kamerave vëzhguese të sigurisë.

i rregullt i kamerave të sigurisë dhe i ndriçimit publik na ndihmon në zbardhjen e rasteve penale”, ka thënë Gashi.

https://www.koha.net/kosove/252917/opozita-reagon-per-telashet-me-ndricimin-publik-dhe-semaforet-ne-prizren/