ORCA: Ardian Kastrati dhe Bujar Dugolli plagjiatorë të verifikuar ndërkombëtarisht
Përmes një njoftimi për media thuhet se revista ku kishin publikuar dy profesorët, pas një komunikimi zyrtar me ORCA ka identifikuar elementet e plagjiaturës së punimit dhe ka vendosur ta heq punimin nga revista përfundimisht.
“Më 1 tetor 2021, ORCA ka dorëzuar në Këshillin e Etikës dosjen e përgatitur me të gjitha provat që faktojnë përtej çdo dyshimi plagjiaturën e dy profesorëve të Fakultetit Filozofik Bujar Dugollin dhe Ardian Kastratin. Punimi me elemente të theksuara të plagjiaturës u ka shërbyer profesorëve për t’u avancuar në titujt akademik. Në vitin 2018, Bujar Dugolli përmes këtij punimi është avancuar nga titulli profesor i asocuar në profesor të rregullt dhe në vitin 2019 Ardian Kastrati përmes të të njëjtit punim është avancuar nga titulli asistent në profesor asistent”, thuhet në njoftim.
Më tej bëhet e ditur pas gjashtë muajsh kohë të shqyrtimit të dosjes së plagjiaturës, Këshilli i Etikës më 10 mars 2022 i ka kthyer ORCA-s një përgjigje zyrtare duke thënë se ata kanë vendosur që çështjen e referuar për pretendimet e plagjiaturës ta administrojnë përmes ekspertizës profesionale.
“Përgjigja e Këshillit të Etikës është skandaloze, ngase plagjiatura e paraqitur në dosjen që e ka pranuar Këshilli, është aq lehtë e verifikueshme saqë nuk të duhet ekspertizë shtesë për ta faktuar atë. Aq më tepër sot kur ne dorëzuam këtë provë të re me të cilën vet revista vërteton pohimet tona si organizatë. Përgjigja e Këshillit të Etikës është haptazi ikje nga përgjegjësitë që i takojnë këtij organi, gjë që nuk ndodh për herë të parë. Prandaj, ORCA është dashur ta bëjë hap tutje me qëllim të faktimit përfundimtar të plagjiaturës së profesorëve të lartpërmendur”, thuhet në njoftim.
Në njoftim më tej është bërë e ditur se më 15 mars 2022 ORCA ka vënë kontaktet e para me revistën botuese të punimit duke ia bashkangjitur të gjitha provat dhe dëshmitë e plagjiaturës, sikurse e kishte bërë në tetor të vitit 2021 me Këshillin e Etikës.
“Më 25 mars 2022, revista i është përgjigjur ORCA-s duke konstatuar dhe verifikuar plagjiaturën e punimit të profesorëve Dugolli dhe Kastrati. Në përgjigjën zyrtare të pranuar nga ta thuhet se punimi do të hiqet menjëherë nga revista dhe se politikat e revistës nuk e lejojnë plagjiaturën në asnjë formë. Rrjedhimisht, pas disa ditësh punimi është hequr nga revista, duke faktuar përtej çdo dyshimi që punimi i profesorëve përmban plagjiaturë”, thuhet në fund të njoftimit. /Telegrafi/