Pacientja me coronavirus nga Korisha kishte qëndruar dy ditë në spitalin e Prizrenit

Komuna e Prizrenit është prekur po ashtu nga pandemia e coronavirusit. Deri më tash në këtë komunë janë konfirmuar tri raste, ku rasti i fundit është ai në fshatin Korishë të Prizrenit.

Personi i infektuar me Covid-19 është e gjinisë femër ndërkaq Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka thënë se ende nuk dihet burimi i infektimit të kësaj pacijente.

Pacientja fillimisht kishte qenë e hospitalizuar për dy ditë në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, drejtori i këtij spitali, Dr. Afrim Avdaj.

Ai ka thënë se mjekët të cilët kanë pasur kontakte me pacienten kanë qenë me veshje mbrojtëse.

“Ajo ka qenë e hospitalizuar tek ne, janë konsultuar mjekët kompetent si pulmologu, mjeku raminator dhe kardiologu dhe pastaj është marrë vendim që pacientja të transferohet në klinikën infektive në QKUK. Mjekët gjatë komunikimit dhe kontakteve me pacientin kanë qenë me veshje mbrojtëse. Pacientja ka qëndruar dy ditë në spital tek ne”, ka thënë Avdaj.

Avdaj ka theksuar se pacientja ka pasur probleme me mushkëri dhe disa ankesa të tjera në zemër, mirëpo gjendja e saj ka qenë stabile.

“Ka pasur probleme me mushkëri por nuk ka qenë ndonjë problem kronikë, dhe ankesa të tjera në zemër. Gjendja e pacientes ka qenë stabile ka qenë pa respiratorë, pra nuk ka qenë e nevojshme vendosja e maskave raminatore dhe respiratore”, ka deklaruar Avdaj.

Pas këtij rasti të konfirmuar me coronavirus, Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim që fshati Korishë e Prizrenit të shpallet zonë karantinë.

Deri më tani në Kosovë janë 126 persona të prekur me coronavirus, 10 të shëruar dhe vetëm një person ka humbur jetën. /Telegrafi/