Paditësja dërgoi provat për personin e gabuar, gjykata në Suharekë i jep afat

Paditësja Byroja Kosovare të Sigurimit gabimisht i ka dërguar provat e Femi Mulliqin në vend se të ishin provat ndaj të paditurit Agron Krasniqi nga i cili po kërkon 4 mijë euro kompensim dëmi nga aksidenti.

Në këtë situatë, Gjykata Themelore e Prizrenit, dega Suharekë, e ka obliguar  Byronë që në afat prej shtatë ditëve të dorëzojë parashtresën me provat materiale sipas padisë ku i paditur është Agron Krasniqi.

Gjyqtari Shaban Zeqiraj ka njoftuar të mekurën se i padituri Agron Krasniqi e ka pranuar personalisht ftesën e veçantë por mungesën e sotme nuk e ka arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I autorizuari paditëses Byroja Kosovare të Sigurimit, Shpat Rexhepi fillimisht ka kërkuar që seanca të mbahet në mungesë të të paditurit Agron Kraniqi.

Ai ka thënë se mbesin prapa padisë se Krasniqi ka shkaktuar aksidentin me datë 5 janar 2013 i vërtetuar në bazë të raportit të policisë ka shkaktuar dëm material ku edhe është arritur pajtimi gjyqësor më 11 prill 2014, ndaj të dëmtuarve është bërë kompensimi i dëmit në shumë prej 3 mijë euro si dhe shpenzimet gjyqësore në shumë prej 1 mijë e 4 euro.

Ndryshe, sipas padisë të dorëzuar në gjykatë paditësja Byroja Kosovare e Sigurimit ka kërkuar nga i padituri Agron Krasniqi që t’ia rimbursoj shumën prej 4 mijë e 4  euro në emër të rimbursimit të dëmit të shkaktuar në aksidentin e trafikut të datës 5 janar 2013, në të cilën kanë pësuar dëme familja Neziraj, me kamatë sipas mjeteve të deponuara në bankat afariste mbi një vit pa destinim të caktuar, nga data e ngritjes së kësaj padie. /BetimipërDrejtësi