19-04-2024

Pandemia zbeh atmosferën festive edhe në Prizren

 

Në prag të ndërrimit të viteve, Prizreni duket në një atmosferë tjetër, shumë më pak festive, se sa zakonisht. Viti që po lëmë pas ishte sfidues, andaj secili ka dëshirë, që sa më parë t’ia jap lamtumirën!

Në orët e pasdite dhe të mbrëmjes në qytet ka pasur shumë më pak lëvizje se herëve të tjera,derisa qytetarët urojnë njëri-tjetrin për një vit të mbarë!

Qyteti nuk ka dekorin e zakonshëm të festës. Jo vetëm natën e ndërrimit të vitit, por kësaj radhe, prizrenasit edhe netët tjera do t’i kalojnë në shtëpitë e tyre.

Një pritje e tillë nëpër shtëpi, madje me vetëm anëtarët e ngushtë të familjes është karakteristikë e këtij viti, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Për dallim nga vitet tjera, kur disa sosh me gjendje më të mirë ekonomike, ndërrimin e moteve, sidomos dy natën e dytë e të tretë e pritnin në lokale hoteliere, sivjet nga shtëpia në fokus është përcjellja e programeve televizive, të cilat tashmë përmes rrjeteve kabllore. janë të shumta.

Edhe kësaj radhe një pjesë të kohës, ata pritet ta kalojnë nëpër telefonat e mençur, duke përcjell rrjetet sociale dhe postuar foto me urime për një vit sa më të mbarë!

Në qytet, po ashtu duken pak shkrepje të fishekzjarrëve. Kjo është shumë e mirëseardhur,  pasi përdorimi i mjeteve piroteknike mund të shkaktojë të lënduar dhe kjo do të mbingarkonte edhe më tepër mjekët apo spitalet, ku prej një viti prioritet është lufta ndaj Covid-it, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.

Komuna e Prizrenit ka ndaluar përdorimin e tyre, në vendet e hapura publike përkatësisht në tregje, rrugë dhe sheshe. Kjo urdhëresë vlen deri më 10 janar,  përveç 31 dhjetorit nga ora 23:00 deri më 01 janar 2021, në ora 00:30.

Pandemia ka zbeh atmosferën festive.

Në kontekstin e ditëve festive, autoritetet lokale kanë paralajmëruar marrjen e masave të nevojshme në institucionet kyçe, si polici, emergjencë, zjarrfikësit, etj.

Prizrenasve, Vitin e Ri ua kanë uruar si kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka ashtu edhe kreu i opozitës, Shaqir Totaj, bashkë me përfaqësues të subjekteve të tjera.

Në kontekstin e URIMIT,  edhe portali “Gazeta e Prizrenit” të gjithë lexuesve besnik, por edhe qytetarëve të tjerë ua uron një vit sa më të mbarë dhe të suksesshëm!

GËZUAR 2021!

Asnjë koment

Comments are closed.