25-11-2024

Pandemia penalizoi arsimin – orët e humbura do të zëvendësohen, shtyhet pushimi dimëror

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jashari ka thënë se pandemia ka goditur jo vetëm ekonominë, por edhe arsimin ngase Kosovën e gjeti të papërgatitur.

Madje ai tha se gjatë pandemisë një numër i nxënësve nuk kanë qenë të kyçur në procesin mësimor.

“ Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me kolegët tanë në Ballkan dhe Evropë përmes edukimit internacional dhe në takime është vlerësuar se kudo në botë pandemia ka goditur jo vetëm ekonominë dhe sektorë tjerë, por ka krijuar probleme kogja të mëdha edhe në arsim dhe janë bërë të gjitha përpjekjet për të arritur atë që na kanë krijuar mundësitë atë që kemi mundur karshi vështirëve të mëdha edhe në Kosovë pandemia dëmtoi dhe krijoi probleme të mëdha ngase Kosovën e gjeti të papërgatitur sepse institucionet e shtetit tonë edhe përkundër deklarimeve se arsimin e kanë prioritet këtë gjë nuk e kanë bërë”.

“Pandemia ua tregoi të vërtetën sepse shkollat ishin në mungesë të internetit, mësimdhënësit të pa furnizuar me lloptop, MAShTI e dha një numër të nxënësve të cilët fare nuk kanë qenë të kyçur në procesin mësimor online”, tha Jashari.

Sipas tij, është vendosur që të bëhet zëvendësimi i të gjitha orëve të humbura dhe pushimi dimëror të fillojë më vonë.

Jashari theksoi se nëse nxënësit rrezikohen të preken nga Covidi, atëherë duhet të vazhdohet me mësimin online, i cili do të jetë mjaft i vështirë sepse mungojnë pajisjet.

“Task-Forca brenda MAShT janë dakorduar dhe kanë dhënë në të gjitha shkollat një propozim një kalendar të zëvendësimeve ku janë paraparë disa të shtuna. Pushimi dimëror do të fillojë më vonë dhe është planifikuar zëvendësimi të të gjitha ditëve të humbura. Uroj që ministria e Shëndetësisë por edhe Task-Forca brenda MAShT ta përcjellin situatën jo vetëm në Kosovë por edhe rreth nesh”.

“Mësimdhënësit do të veprojnë sipas situatës dhe t’i respektojnë vendimet e IKShPK, ministrisë së Shëndetësisë por edhe të MAShTI. Dhe nëse ata e shohin se mësimi me prani fizike veç po mbetet i rrezikuar atëherë ne me të gjitha mundësitë do të angazhohemi në mësimin online, i cili nuk është më i miri ngase ka mungesë të pajisjeve, numër të konsiderueshëm të nxënësve që nuk do të mund të kyçen fare dhe do të jetë vit më i vështirë. Por ne do të angazhohemi të arrijmë atë që mundemi brenda mundësive dhe rrethanave të krijuara”.

Ndërsa, drejtori i Organizatës “EdGuard”, Rinor Qehaja thotë se ndikimi i pandemisë në proces të mësimdhënies dhe mësimnxënies është evident, duke theksuar se ka pasur ngecje nga nxënësit.

“Ndikimi i pandemisë në proces të mësimdhënies dhe mësim nxënies është evident, dhe kjo të dëshmohet nga kushdo nga komuniteti i shkollës, përfshirë mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit. Ajo çka ne shpresojmë është që zëvendësimi eventual i orëve është të rikthej ato orë të humbura dhe mbi të gjitha të rikthej atë përkushtimin e gjithë komunitetit të shkollës në proces të mësimdhënies. Të tejkalohet historia për pandeminë dhe të rikthehet vëmendja aty ku duhet. Suksesi i nxënësve nuk vlerësoj që mund të matet aq lehtë pasi që neve mungojmë në vlerësim të jashtëm dhe të brendshëm të besueshëm. Kushdo nga komuniteti i mësimdhënësve na tregojnë për një ngecje në proces të mësimnxënies nga nxënësit”.

Tutje, ai tha se orët mësimorë tashmë kanë filluar të zëvendësohen. Sipas tij, SBASHK-u duhet t’i shter të gjitha reagimet sindikale dhe në asnjë moment të mos konsiderojë grevën si mjet për reagim, pasi që çdo humbje e procesit mësimor do të jetë e papërballueshme për nxënësit.

“Orët mësimore tashmë kanë filluar të zëvendësohen. Frika jonë është që zëvendësimi në asnjë moment nuk është i barabartë me orët e plota që mbahen gjatë orarit të rregullt për arsye të neglizhencës. Të gjithë ata kontribuojnë që zëvendësimi të mos jetë shumë efiçient. Ne vlerësojmë që SBAShK-u duhet t’i shter që të gjitha reagimet sindikale dhe në asnjë moment të mos konsiderojë grevën si mjet të tyre pasi që si tillë do të ndikojë drejtpërdrejtë te nxënësit pa fajin e tyre”.

“…veçanërisht kur dihet që janë këta nxënës që kanë humbur vite me radhë jashtëzakonisht shumë për shkak të pandemisë. Dhe çfarëdo humbje tjetër në proces mësimor do të jetë e papërballueshme dhe e padrejtë ndaj tyre”./IO

Asnjë koment

Comments are closed.