Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Përgjithshëm Penal duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, ndaj të pandehurit me iniciale A.D. nga Prizreni, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale vjedhje e rëndë, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.
Në arsyetimin e aktvendimit, thuhet se i dyshuari me 15.07.2019, rreth orës 06:50 minuta, në rrugën “Kadri Zeka”, në Prizren, saktësisht në objektin e firmës“Qeliku Plast”, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, e në dëm të pasurisë së të dëmtuarit me iniciale R.H., duke shfrytëzuar orët e hershme të mëngjesit, kalon mbrapa objektit dhe me forcë ka hapur derën e objektit të firmës së lartcekur.
Ai pasi ka depërtuar edhe nëpër dy dyer të tjera deri sa ka arritur të hyjë në zyre të objektit, ku nga arka ka marrë një shumë të konsiderueshëm para dhe është larguar nga vendi i ngjarjes, e me ç’rast të dëmtuarit i ka shkaktuar dëm material. /GazetaePrizrenit.net/