26-11-2024

Paraburgim ndaj tre personave për rrahje në fshatin Zhur

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, gjyqtari i procedurës – Luan Berisha, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 10.11.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 10.12.2021, ndaj të pandehurve:
A.K., dhe B.K., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale lëndim i rëndë trupor nga neni 186 par. 3 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës

R.S., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale lëndim i rëndë trupor nga neni 186 par. 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës

Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar:

– Të pandehurit A.K., dhe B.K., më datë 10 nëntor, në orët e mesnatës në fshatin Zhur, Komuna e Prizrenit, i shkaktojnë lëndime të rënda trupore personave tjerë që rezultojnë me dëmtimin e përkohshëm dhe serioz të shëndetit, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje verbale, të pandehurit A.K., dhe B.K., konfrontohen fizikisht me të dëmtuarin (të pandehurin e tretë) R.S., , si pasojë të kësaj, i pandehuri A.K., me përdorimin e mjetit të rrezikshëm – thikës e godet të dëmtuarin R.S., në pjesën e gjoksit po ashtu gjatë kësaj përleshje lëndime pëson edhe i mituri R.V., me çka dyshohet se të dëmtuarve i kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore të përshkruara si në raportet mjekësore.

Po ashtu, më datë, kohë dhe vend të njëjtë të përshkruar si më lartë, i pandehuri R.S., i shkakton lëndime të rënda trupore personave tjerë që rezultojnë me dëmtimin e përkohshëm dhe serioz të shëndetit, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje verbale, i pandehuri me të dëmtuarit A.K., dhe B.K., konfrontohen fizikisht, si pasojë të kësaj, i pandehuri me përdorimin e mjetit të rrezikshëm (kmesë) i godet të dëmtuarit A.K., dhe B.K., me çka dyshohet se të dëmtuarve i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore, të përshkruara si në raportet mjekësore.

Me rastin e caktimit të paraburgimit Gjykata ka marrë parasysh peshën e veprës penale e cila është e natyrës së rëndë, në rastin konkret kemi të bëjmë me lëndime serioze për shëndetin e njeriut të shkaktuara nga të pandehurit ndaj njëri – tjetrit duke përdorur mjete të rrezikshme si thika dhe mjete tjera të mprehta, të cilat ai jetojnë të pandehurit tregojnë rrezikun se nëse të pandehurve nuk iu caktohet masa e paraburgimit, të njëjtit mund ta përsërisin veprën penale apo të kryejnë vepër tjetër penale të pasojave edhe më të rënda.

Caktimi i paraburgimit duke u mbështetur në rrethanat e lartcekura është më i domosdoshëm dhe i shërben efikasitetit të procedurës penale, duke pasur parasysh faktet dhe rrethanat e lartpërmendura, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale, ambientin publik dhe të frekuentuar ku është kryer vepra penale, kemi të bëjmë me veprën penale të lëndimit të rëndë trupor e cila vepër është kundër vlerave të integritetit trupor të njeriut si e drejtë elementare e fondamentale, sipas mendimit të gjykatës caktimi i masës së paraburgimit tani për tani është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.

Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore në Prizren.

Asnjë koment

Comments are closed.