19-04-2024

Paraburgim ndaj zv/drejtorit të gjimnazit në Malishevë, dyshohet se sulmoi seksualisht një nxënëse

Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një muaj të pandehurit A. K, i dyshuar për sulm seksual ndaj nxënëses.

Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi për medie nga Gjykata Themelore në Gjakovë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas kërkesës së prokurorisë, rasti ka ndodhur më 16 dhjetor 2021, në gjimnazin “Hamdi Berisha”, në Malishevë.

“Gjyqtari i procedurës paraprake Drilon Haraçia, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë”, thuhet në njoftim.

Kjo ngase, sipas tij kemi të bëjmë me vepra penale të ndjeshme, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, rreziku i ikjes dhe ndikimi në dëshmitarë.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.