Paraburgim në Prizren shtetasit nga Dibra e Shqipërisë të kërkuar nga Interpoli
Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti për Krime të Rënda, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e paraburgimit në raport me procedurën e ekstradimit ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej dyzet (40) ditëve ndaj të pandehurit me iniciale E.D. nga fshati Kastriot-Dibër të Shqipërisë.
Kjo për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale vjedhje e rëndë në territorin e Republikës Federale Gjermane, vepër kjo e paraparë edhe me KPRK-së.
Masa e paraburgimit do të llogaritet prej momentit të arrestimit datë 31.07.2019 nga ora 11:55 minuta dhe do të zgjasë deri më datën 09.09.2019.
Në kumtesën e GJTH-së, thuhet se ekziston dyshim i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale vjedhje e rëndë, e kryer në territorin e Republikës Federale Gjermane, vepër kjo e paraparë edhe me KPRK-së., i cili dyshim rezulton nga provat të cilat janë bashkangjitur në shkresat e lëndës dhe njoftimi i INTERPOL, për çka këto prova e kanë fuqinë e njëjtë juridike me kërkesën për arrestim të përkohshëm në Republikën e Kosovës.
Njoftimi i Interpolit i vlefshëm deri më datën 16.11.2023 për arrestimin e të kërkuarit, me kërkesë për ekstradim pranë autoriteteve të Gjermanisë./ GazetaePrizrenit.net