Paraburgim prizrenasit për dhunë fizike e psikike ndaj bashkëshortes
Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Përgjithshëm Penal, me kërkesë të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ia ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji të pandehurit me iniciale A.Z. nga Prizreni.
Ai dyshohet se ka kryer veprën penale “sulm” lidhur me veprën penale “dhuna në familje”.
Gjykata thotë se ka bazë ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj A.Z. marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrat dhe rrethanat në të cilën është kryer vepra penale.
“I pandehuri me iniciale A.Z me veprimet e tij i ka shkaktuar dhunë fizike dhe psikike anëtarëve të familjes së tij, respektivisht bashkëshortes së tij /të dëmtuarës me iniciale M.T. për një kohë të gjatë. Nuk është hera e parë që krijon probleme të tilla. Ky rast ka ndodhur pas kthimit të saj në shtëpi pas një problemi paraprak e po ashtu duke marrë parasysh se kjo vepër është kryer në shtëpinë e tyre të përbashkët, gjegjësisht në shtëpinë tyre familjare dhe në këto momente raportet e tyre janë të acaruara, është konstatimi i gjykatës se caktimi i masës ndaj të njëjtit është i bazuar dhe i arsyeshëm për sigurimin e prezencës dhe zhvillimin normal të rrjedhës së procedurës penale”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore të Prizrenit.