Paraburgim tiranasit që u kap me 55 kilogramë marihuanë në pikëkalimin e Vërmicës
Gjykata Themelore e Prizrenit ia ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji të pandehurit me iniciale A.K., nga Tirana, shkaku i dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.
Në arsyetim, thuhet se pandehuri me datë 25.07.2019, nga Shkodra duke e drejtuar automjetin e tipit “Opel Meriva” ka transportuar narkotik të llojit marihuanë dhe hashash, të cilat në një bunker, nën dysheme të automjetit i kishte fshehur.
“Ato kishin peshë të përgjithshme prej 54,963 kilogramësh të cilat në pikë të kalimit kufitar Shqipëri – Kosovë, gjegjësisht afër fshatit Vërmicë – Komuna e Prizrenit, janë zbuluar nga kontrolli i policisë”, thuhet në kumtesën e Gjykatës. /GazetaePrizrenit.net/