Parashikimi i motit për të dielën
Reshjet e shiut, shqotës dhe borës, të cilat po vazhdojnë në mbrëmjen e së shtunës pothuajse në gjithë territorin e Kosovës, gradualisht gjatë orëve të para të 24-orëshit të ditës së diel, pritet të shndërrohen të gjitha në ato të shiut në pjesën më të madhe të vendit, me përjashtim për ndonjë zonë të caktuar në ultësira si dhe në zonat malore.
Dita do të vijojë kohë pas kohe dhe lokalisht me reshje, kryesisht në formë të shiut dhe shqotës, ndërsa orëve të pasditës dhe mbrëmjes, sërish lokalisht pritet të shndërrohen në ato të borës, sidomos në Rrafshin e Kosovës. Në zonat malore do të vazhdojnë reshjet e dendura të borës, ku sipas parashikimeve, trashësia totale mund të arrijë deri në 1 metër e gjysmë (150 cm).
Era do të fryjë nga drejtimesh të ndryshme por më dominues nga verilindja, e cila kohë pas kohe dhe lokalisht pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 15-50 km/h.
Temperaturat minimale do të lëvizin prej -1 deri në 3°C, ndërsa ato maksimale prej 2 deri në 7°C.