Shoferët prizrenas dhe ata mysafirë, prej qershorit nuk do ta kenë mundësinë të parkojnë pa pagesë në Parkingun më të madh publik të Prizrenit, që ndodhet në zonën qendrore të qytetit, por këtë mund ta bëjnë me cmim më të favorshëm, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Lis Dorambari, zëdhënës i Komunës së Prizrenit, konfirmoi se deri në fund të majit, pritet që në hapësirën prapa ndërtesës së Kuvendit Komunal, të njohur si “Shtëpia e Bardhë” të nisë pagesa.
“Sipas planifikimit, pritet të fillojë të funksionojë me pagesë më së largu deri në fund të këtij muaji. Pagesa ende nuk është definuar, por do të jetë e arsyeshme dhe dukshëm më e ulët se sa çmimet aktuale të tregut”, tha për portalin “GazetaePrizrenit.net”, ai.
Parkingu i hapur në muajin gusht të vitit të kaluar ka përmbushur një pjesë të madhe të nevojave të shoferëve, që frekuentojnë zonën qendrore, përfshirë edhe qendrën tregtare të njohur si “Qylhan” të Prizrenit.
Që nga hapja, Komuna pat njoftuar se parkimi i veturave deri në 3 orë do të jetë falas për të gjithë qytetarët, ndërsa kapaciteti i tij është mbi 100 vende, përcjell “GazetaePrizrenit.net”.
Padyshim se hapja e parkingut në këtë zonë ka ndikuar në ngjalljen e Çarshisë ku veprojnë mbi 400 shitore të vogla, si dhe zhvillimit të turizmit, pasi që ky lokacion është vetëm 350 metra larg nga qendra e qytetit.
Krijimi i parkingjeve të reja, sidomos këtyre publike në qytet është një nevojë urgjente, për shkak të fluksit të veturave, sidomos gjatë muajve të verës kur kthehen mërgimtarët dhe fillon edhe sezoni i dasmave. Gjatë kësaj kohe në Prizren vijnë edhe shumë mysafirë nga vende tjera, për të blerë stoli ari dhe veshje të ceremonive festive, për të cilat është i njohur Prizreni./GazetaePrizrenit.net/