Pas këtij muaji, mësimdhënësit e viteve të 90-ta mund t’i marrin pensionet
Nga pjesa e dytë të këtij viti pritet të fillojë kompensimi shtesë për mësimdhënësit të cilët kanë punuar gjatë periudhës së viteve 1990-1999, në kuadër të procesit të njohur si sistemi paralel i arsimit në Kosovë.
Ky kompensim u mundësohet në bazë të Ligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqiptar të Republikës së Kosovës nga viti 1990 deri më 1999, i cili është miratuar në muajin shkurt të këtij viti, por që ende nuk ka filluar zbatimi i tij në praktikë.
Punëtorët, të cilët e kanë ushtruar profesionin e tyre gjatë asaj periudhe, pritet t’i marrin benificionet pas daljes në pension. Ata do të marrin nga 19 deri në 95 euro, varësisht sa vjet kanë punuar në arsim.
Përfaqësues të Sindikatës së Bashkuar për Arsim Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), kanë thënë se nxjerrja e disa akteve nënligjore ka bërë që të shtyhet ndarja e mjeteve financiare për përfituesit, që sipas tyre, është e panevojshme.
Në bazë të këtij ligji, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, duhet të nxjerr aktet nënligjore për zbatimin e tij.
Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, thonë se konform procedurave dhe afateve kohore, janë duke u hartuar dy udhëzime administrative që parashihen me ligj. Valmir Gashi zëdhënës në këtë ministri, tha për Radion Evropa e Lirë, se njëri udhëzim ka të bëjë më mësimdhënësit dhe tjetri me pronarët e shtëpive që janë shfrytëzuar për shkolla. Këto dy udhëzime, thotë ai, e përcaktojnë qartë gjithë procesin.
Por, Ymer Ymeri menaxher financiar në Sindikatën e Bashkuar për Arsim Shkencë dhe Kulturë, thotë se periudha prej 6 muajsh ka qenë e panevojshme, pasi përgatitjet për këtë ligj kanë filluar ndër vite.
“Ne si SBASHK kemi dhënë vërejtjet që MASHT-i është dashur të jetë pak më e shpejtë në nxjerrjen e udhëzimit. Edhe përkundër që ligji jep mundësi gjashtë muaj, ky është një ligj që kemi pritur disa vite, është ligj që vetë e ka sponsorizuar Ministria e Arsimit. Prandaj, është dashur të finalizohet ligji. Për këtë SBASHK-u nuk është i kënaqur sepse koha për dy- tre muaj pritje për një udhëzim administrativ prej 5- 6 faqesh, është e panevojshme”, tha Ymeri për Radion Evropa e Lirë.
Agim Hajdari ka punuar profesor në shkollë të mesme gjatë viteve të 90-ta. Ka pesë vjet që kur ai është në pension dhe e quan të pakuptimtë zvarritjen e shpërndarjes së mjeteve.
“Më të vërtet e kanë vonuar shumë. Vonesat në ndarjen e mjeteve shfaqen vetëm që të vdesin më shumë pensionistët dhe Qeverisë që t’i vjen më lehtë të bëjnë pagesën ndaj pensionistëve, të cilët 10 vjet nuk kanë kursyer asgjë për të punuar edhe në kushte të rrezikshme”, thotë Hajdari.
Megjithatë, pas përfundimit të këtyre procedurave, Ymer Ymerishpreson se pas muajit qershor do të fillojë ndarja e mjeteve për përfituesit, kurse në mënyrë retroaktive do të marrin kompensimin shtesë që nga hyrja në fuqi e ligjit.
“Edhe pse ministria ka afat deri në fund të muajit gusht për nxjerrjen e udhëzimeve administrative, mendojmë se nga fundi i muajit qershor do të nënshkruhet udhëzimi administrativ. Kështu që mësimdhënës që janë përfitues do të marrin shtesat në pension prej hyrjes në fuqi të këtij ligji. Kështu që përfituesit, mjetet shtesë do marrin në mënyrë retroaktive”, tha Ymeri.
Sipas SBASHK-ut, rreth 7000 është numri i mësimdhënëseve të cilët kanë punuar në atë periudhë dhe që janë përfitues.
Kostoja e zbatimit të ligjit, sipas një përgjigjeje të mëhershme të Ministrisë së Arsimit, për vitin 2019 do të jetë 6.6 milionë euro dhe për vitin 2020 rreth 7.4 milionë euro.
Bazuar në një llogaritje të bërë, një mësimdhënës që ka punuar 9 vjet do “shpërblehet” më 95 euro në muaj dhe pension kontribut-pagues prej 260 euro. Kjo nënkupton se ata do të paguhen 355 euro në muaj. Kurse shuma do të jetë më e vogël për mësimdhënësit që kanë punuar më pak vjet.
Ndërkaq, në rast se personi ka ndërruar jetë, të drejtë kompensimi ka bashkëshortja ose bashkëshorti.
Përveç mësimdhënësve, sipas ligjit edhe pronarët e shtëpive që në atë kohë kanë lëshuar objektet e tyre që të shfrytëzohen si shkolla, do të gëzojnë benificione si dhe punëtorët teknikë dhe shërbyesit.