18-05-2024

Pas kritikave të djeshme, Nisma akuza ndaj kuvendarëve të Vetëvendosjes e LDK-së

Nisma Socialdemokrate, dega në Prizren, ka reaguar ndaj siç ka thënë akuzave të drejtuar dje ndaj përfaqësuesve politik të këtij subjekti, gjatë mbledhjes së Kuvendit Komunal (KK) të Prizrenit.

Në reagim ndër tjera thuhet se “akuzat dhe shpifjet e një grumbulli infantilësh politik në Kuvendin e Prizrenit, të cilët në mënyrë të orkestruar shpifin e akuzojnë pa kurrfarë baze mbi përfaqësuesit politik të NISMËS në qeverisjen e Prizrenit, të cilët me angazhimin e tyre dhe seriozitetin e treguar në punë, po i japin kuptim qeverisjes në qytetin tonë.
Në vazhdim të reagimit, thuhet:

“Për tri seanca rreshtë, po dalin qartazi veprimet e orkestruara dhe qëndrimet e koordinuara të disa kuvendarëve të koalicionit qeverisës, që po përputhen me qendrimet e atyre që qytetari me votën e vet i la në opozitë, e që me të cilët NISMA asesi nuk do të merret, ngase për keqpërdorimet e mëdha që kanë bërë gjatë qeverisjes së tyre, pret që me ta të merren organet e drejtësisë.

Një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë spektrin politik në Prizren se NISMA Socialdemokrate dhe mbështetësit e saj, kanë qenë vendimtarë për ndryshimin e qeverisjes në Prizren, prandaj nuk befasohemi me sojin e Aziz Hodes dhe Petrit Hoxhes të cilët me mish e me shpirt kanë punuar që ndryshimi të mos ndodhë, duke i shërbyer përfaqësuesit të klanit PRONTO,  Shaqir Totajt, klan ky që për dhjetë vite e ka terrorizuar qytetin e Prizrenit dhe jo rastësisht logjika e tyre dhe e ndonjë tjetri, e ka sjellur LDK-në këtu ku është, dikur nga një subjekt politik me 27 kuvendar, sot përfaqësohet me gjashtë, e të cilët nëse vazhdojnë kështu, nesër nuk do ti kenë as edhe këta që i kanë sot.

Për NISMËN është e papranueshme sjellja prej adoleshentëve politik, si Mimoza Bushrani dhe Karanfil Haxhillari, të cilët po shihet se janë të pavetëdijshëm për misionin e tyre prej kuvendari dhe pozicionin politik dhe vetëm për tu bërë lajm në ndonjë paçavurë informative dhe rrjet social, janë vënë në shërbim të djallit, duke përdorur fjalor rrugaçërie, ata po dëmtojnë fillimisht institucionin e kryetarit të Komunës, e sigurisht edhe imazhin e qeverisë në Prizren pa kurrfarë argumenti.

Mimozat dhe karanfilat duhet të kthjellohen dhe ta luajnë rolin e vetë që të mos bëhen therra, ose mos të kundërmojnë në Kuvendin e Prizrenit, e që pastaj ne të obligohemi ta dezinfektojmë, por ne bashkarisht duhet të kemi një qëllim të vetëm, që Kuvendi ta luaj rolin për të cilin ka nevojë qytetari i Prizrenit. Për këta të fundit presim që edhe zyrtarët e VV-së në Prizren të deklarohen publikisht, se sjelljet dhe veprimet e tyre janë politika zyrtare, apo qëndrime individuale të tyre.

NISMA Socialdemokrate–dega në Prizren, inkurajonë drejtorët e saj në qeverisjen e Prizrenit, si dhe grupin e kuvendarëve, që të vazhdojnë edhe më tej të jenë në shërbim të qytetarëve dhe përgjegjësive që kanë marrë, duke qenë model i kultures politike dhe qeverisës brenda mazhorances në qytetin tonë.

NISMA, në qytetin e Prizrenit, e ka të qartë pozicionin dhe misionin e saj, prandaj kërkon edhe nga të tjerët të sillen me përgjegjësi bazuar në poziten e tyre institucionale”, thuhet në reagimin e NS në Prizren.

Asnjë koment

Comments are closed.