04-05-2024

Pas pandemisë, rrezikohet një rritje e frikshme e sëmundjeve mendore

Pasi të ketë kaluar faza e emergjencës së koronavirusit rrezikohet që në të gjithë botën të shihet një tjetër pandemi, kësaj radhe e problemeve mendore lidhur me koronavirusin.

Është kjo ajo që thuhet në një artikull të publikuar në revistën shkencore ‘Lancet Psychiatry’, nga një grup prej 42 ekspertësh botërorë që kanë formuar “International Covid-19 Suicide Prevention Research Collaboration”. Sipas studiuesve mund të veprohet ende, për të evituar ose reduktuar problemin.

Artikulli liston disa faktorë psikologjik, socialë dhe ekonomik të lidhur me pandeminë e koronavirusit, të cilët mund të rrisin rrezikun e vetëvrasjes, që nga shqetësimet financiare, dhuna në familje e deri te përdorimi i shtuar i alkoolit, duke udhëzuar masat dhe veprimet që duhen ndërmarrë për të reduktuar efektet.

Këtu sugjerohet mbështetja e të papunëve e deri tek ndihma psikologjike nga profesionistët, edhe përmes video-telefonatave.

Më të rrezikuarit, nënvizojnë ekspertët janë personat që kanë vuajtur më parë nga probleme mendore dhe psikiatrike, por edhe shumë të tjerë që nuk kanë manifestuar simptoma të tilla, shkruan noa.al.

“Kjo është një situatë që nuk është parë asnjëherë më parë. Pandemia do të shkaktojë stres dhe do i bëjë shumë njerëz vulnerabël. Problemet për shëndetin mendor do të mbeten për një kohë të gjatë dhe do të ketë një moment kulmor më të vonë në raport me pandeminë aktuale. Shtimi i vetëvrasjeve nuk është i pashmangshëm me kusht që të veprohet menjëherë”, thotë drejtuesi i studimit, britaniku David Gunnell, i Universitetit të Bristol. /noa.al

Asnjë koment

Comments are closed.