23-11-2024

Patrullime të përbashkëta policore Kosovë – Shqipëri

Në Lezhë sot është nënshkruar marrëveshja e mirëkuptimit për patrullime të përbashkëta në mes të Policisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

U.d. drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Naim Rexha dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu nënshkruan Marrëveshja e Mirëkuptimit.

Në komunikatën e lëshuar, thuhet se referuar nevojës dhe rëndësisë së vazhdimit të bashkëpunimit dhe patrullimeve të përbashkëta në mes të dy agjencive policore, në përpjekje për rritjen e elementeve të sigurisë rrugore në Shqipëri , nga 1 korriku 2018 do të fillojë turni i parë i zyrtarëve policorë të trafikut nga Kosova për të patrulluar bashkërisht në Shqipëri me njësitet e trafikut të Policisë shqiptare.

“Gjatë sezonit turistik, pothuajse çdo vit ka një rritje të ndjeshme të numrit të shtetasve nga Kosova që shkojnë për pushime në zonat turistike të Shqipërisë, si dhe të mjeteve që qarkullojnë në akset kryesore rrugore që lidhin të dy vendet, është parë e nevojshme realizimi dhe vazhdimi i kësaj marrëveshje të përbashkët. Me synim ngritjen e sigurisë në trafik për pjesëmarrësit e të dy vendeve, në vazhdimësi janë vlerësuar të nevojshme dhe të suksesshme patrullimet e përbashkëta, andaj si rezultat i këtyre vlerësimeve edhe këtë vit u nënshkrua kjo marrëveshje”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Përveç tjerash ky patrullim i përbashkët ka për qëllim vendosjen e bashkëpunimit konkret në fushën e parandalimit të kundërvajtjeve administrative, për rritjen e efikasitetit të luftës ndaj humbjes së jetëve njerëzore në aksidentet rrugore dhe zbatimin me rigorozitet të legjislacionit rrugor, për krijimin e një ambienti më të sigurt për të gjithë qytetarët dhe përdoruesit e rrugës, që qarkullojnë në akset rrugore që lidhin dy vendet.

 

Asnjë koment

Comments are closed.