PDK do hetime nga Prokuroria të tenderit për pajisje mjekësore nga Komuna e Prizrenit
Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Prizren, sot ka reaguar ndaj qeverisje lokale për “shkelje të rënda” në tenderin e fundit për blerjen e pajisjeve mbrojtëse kundër koronavirusit, raporton Gazeta e Prizrenit.
Ky subjekt, përmes një komunikate për media, shprehet se pos çmimeve shumëfish më të larta se sa çmimet në treg, në tender ka edhe shkelje të tjera, përfshirë edhe atë se ai i është dhënë një kompanie, e cila nuk është e regjistruar për ta ushtruar veprimtarinë në fjalë.
“Me qëllim të informimit publik, PDK Dega në Prizren, reagon ndaj tenderit të fundit, të publikuar nga Komuna e Prizrenit me titull: “Furnizim me material shpenzues sanitar për nevojat e shërbimeve shëndetësore për mbrojtje nga Korona virusi në komunën e Prizrenit” në shumën prej 102.040 euro.
Kontrata e lidhur në fjalë, është rast shumë i rëndë, ku pos çmimeve shumë fish më të larta se sa çmimet në treg, këtu ka edhe shkelje tjera flagrante, sepse ky tender, i është dhënë një kompanie, e cila nuk është e regjistruar për ta ushtruar veprimtarinë në fjalë, për të cilin ka fituar tenderin, operatori ekonomik:
“EKA TRADEING” SH.P.K. Komuna në këtë rast, ka keqpërdorur haptas me mjetet publike në këtë kohë pandemie, duke manipuluar me situatën që gjindemi.
Ky rast, i dhënies së tenderit nga Komuna e Prizrenit, përbën shkelje të mëdha dhe abuzim me mjetet financiare, të cilat janë para të taksapaguesve tanë, ku në bazë të një përllogaritje të thjesht, Komuna e Prizrenit përmes këtij tenderi, supozohet se dëmtohet me shumën prej mbi 50 mijë euro, andaj ftojmë Prokurorinë e Shtetit, që të fillojnë hetimet, për dyshime të bazuara për korrupsion dhe keqpërdorim.
Të bashkangjitur gjeni: kontratën bashkë me çmimet për produktet në fjalë, ku këto çmime janë enorme të larta, krahasuar me çmimet e tregut dhe me kontratat e lidhura deri tash nga Ministria e Shëndetësisë, si dhe njoftimin për procedurë të negociuar dhe të nënshkruar, nga ana e Kryetarit të Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, ku vërtetohet se z. Haskuka, është direkt i involvuar, lidhur me abuzimet dhe keqpërdorimet në fjalë.”, thuhet në fund të komunikatës së PDK-së.
Lexo edhe: