19-04-2024

“Çmimet në qiell” në kohë pandemie, Komuna e Prizrenit paguan 14 euro për litër për dezinfektues, dhe 31 euro për maska

Komuna e Prizrenit, më 6 prill të këtij viti, ka nënshkruar një kontratë për ” Furnizim me material shpenzues sanitar për nevojat e shërbimeve shëndetësore për mbrojtje nga Coronavirusi në Komunën e Prizrenit” . Kjo kontratë është nënshkruar me kompaninë “Eka Tradeing“ Sh.P.K. nga Prizreni përmes negociatave të drejtpërdrejta dhe pa publikim të njoftimit për kontratë.

Kontrata e nënshkruar në mes Komunës së Prizrenit dhe “Eka Tradeing“ Sh.P.K. nga Priizreni ngre dyshimet për keqpërdorime të parasë publike. Kjo ka bërë që i gjithë procesi të jetë i dyshimtë për keqpërdorime të mundshme, ndërsa nga dosja e tenderit dyshohet se vlera e mundshme e keqpërdorimit në këtë rast mund të kap shumën prej dhjetëra mijëra eurosh.

Komuna e udhëhequr nga Vetëvendosja, kontratën me vlerë prej mbi 102,040 eurosh, me negociatë të drejtpërdrejtë, ia ka dhënë kompanisë e cila ende nuk i ka mbushur as një vit nga themelimi i saj dhe ka të deklaruar vetëm një punëtor.

Kompania “Eka Tradeing“ Sh.P.K. është e regjistruar në ARBK (Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë) me datë 10.05.2019. Ky biznes nuk ka për mision shitjen me pakicë apo shumicë të artikujve për të cilët është shpërblyer me kontratë.

 

 

Kapitali i kësaj kompanie, e cila ende nuk ka një vit që është themeluar, është vetëm 1,000 euro.

Por kjo si duket nuk i ka penguar aspak Komunës së Prizrenit që t’i japë kontratë prej mbi 102,040.00 eurosh.

Për më tepër, Komunës së udhëhequr nga Mytaher Haskuka, nuk i ka penguar as fakti se aktivitet primar i kompanisë “Eka Tradeing“ Sh.P.K. është “Organizimi i konferencave dhe panaireve afariste“. Pra, Komuna e Prizrenit ka blerë material për mbrojtje nga Coronavirusi, në vlerë prej hiç më pak se 102,040 euro, nga një kompani që organizon konferenca dhe panaire.

Aktivitetet tjera të deklaruara në ARBK nga kompania “Eka Tradeing“ Sh.P.K. janë edhe tregtia me shumicë jo e specializuar, kanalizimi, zhvillimi i projekteve të ndërtimit, ndërtimi i projekteve banesore dhe jobanesore, ndërtimi i projekteve të ujit, punime montimi nga druri dhe materiale të tjera, aktivitetet e fotografimit, aktivitetet e përkthimit dhe interpretimit si dhe aktivitet mbështetëse për shfaqje artistike.

 

 

Me qëllim të ofrimit të një pasqyre sa më reale për lexuesit e saj, Lajme365 ka konsultuar ekspertë të prokurimit si dhe ka analizuar edhe çmimet e produkteve të precizuara në kontratën në mes Komunës dhe kompanisë dhe i ka krahasuar ato me çmimet e po atyre produkteve në treg.

Gjetjet e krahasimit vetëm sa e shtojnë dyshimin për keqpërdorime në këtë proces.

Të gjithë artikujt në këtë tender janë paguar shumë herë më shtrenjtë se çmimet e artikujve në treg., ose për krahasim me çmimet që i kanë paguar komunat tjera fqinje. Kjo ka ndodhur si pasojë e ngutisë për blerje shumë të shpejtë me procedurë të gabuar, si dhe me operatorin e gabuar i cili në asnjë rast nuk është i autorizuar as licencuar për këto shitje.

Në dosjen e tenderit nuk janë përshkruar karakteristikat e produkteve, kjo është tentuar të bëhet tek paramasa apo lista e çmimeve, gjë e cila e ka ekspozuar komunën përballë cilësisë shumë të dobët të produkteve. Pra Komunës edhe po t’i vinin pajisjet më cilësi të dobët ” në derë të shpisë ” me këtë dosje të tenderit do të ishte e obliguar t’i pranonte.

Komuna e Prizrenit ka paguar 8,9 Euro për një maskë të tipit FFP2, me ç’rast për 600 copë Komuna e udhëhequr nga Mytaher Haskuka i Vetëvendosjes, ka paguar hiç më pak se 5,340 Euro.

E njëjta maskë në treg ka një çmim prej 3 deri 4 euro dhe të njëjtën Komuna e Dragashit e ka blerë për vetëm 3.8 euro. Komuna që udhëhiqet nga Shaban Shabani i ka blerë 4,500 maska të tilla për 17 mijë e 100 euro përmes tenderi për furnizim me materiale mbrojtëse nga COVID-19.

Përveç maskave FFP2, Komuna e Prizrenit ka paguar çmime enorme edhe për dezinfektues.

Për një litër dezificient për dezinfektimin higjienik dhe kirurgjik të duarve, Komuna e Prizrenit ka paguar çmimin prej 14 eurosh, duke paguar 2,800 euro 200 litra dezinfektues higjienit dhe kirurgjik të duarve.

Në treg i njëjti dezinfektues ka një çmim prej afër 5 eurosh. Komuna e Dragashit një produkt të tillë e ka siguruar me 5.5 euro, përcjellë Lajme365.

Dezinfektuesi për pajisje medikale nga Komuna e Prizrenit është paguar 15 euro për litër, kurse në treg ky produkt ka një çmim prej afër 3 euro për litër.

Një produkt tjetër i blerë me çmim të lartë janë edhe termometrat me laser. Komuna e Prizrenit ka paguar 32 euro për një termometër të tillë derisa i njëjti në treg ka çmim prej rreth 20 eurosh.

Ndërsa në fund të listës së produkteve të blera me këtë kontratë, është evidentuar produkt dezinfektant ku Komuna e Prizrenit ka paguar hiq më pak se 14 euro për një litër, ndërsa janë blerë 250 litra në shumën totale prej 3,500 Euro. Produkti i tillë në treg kushton jo më shumë se 5 euro për litër.

Komuna e Prizrenit nuk është hera e parë që ka realizuar blerje të produkteve me çmime shumëfish më të larta se çmimet e tregut.

Lajme365 ekskluzivisht ditë më parë kishte raportuar që Komuna e Prizrenit kishte paguar 43 Euro për një këmishë dhe 94 Euro për një jakne, për uniformat e punonjësve të administratës.

 

Njohës të fushës së prokurimit publik, për Lajme 365kanë ngritur shqetësimet e tyre me kontratën e nënshkruar në mes Komunës së Prizrenit dhe “Eka Tradeing“ Sh.P.K. Sipas tyre, në këtë rast është përdorur procedurë e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, që do të thotë se për këtë tender nuk ka pasur asnjë konkurrencë dhe komuna vetëm është ulur dhe ka negociuar me operatorin e vetëm në këtë rast. Për këtë arsye, kur kjo procedurë përdoret zakonisht çmimet janë shumë më të larta sesa ato të tregut.

Megjithatë, në rastet kur për një procedurë të prokurimit ekziston një nevojë për reagim të shpejtë, Ligji ka lejuar dy forma të prokurimit emergjent dhe urgjent. Në terminologji këto forma nuk dallojnë edhe aq, por në përmbajtje janë substancialisht të ndryshme.

Procedura emergjente është ajo kur kushtet apo rrethanat në të cilat zhvillohet tenderi janë të tilla që nuk mund të pritet dhe nevojitet reagim i shpejtë, të tilla raste janë vërshimet, tërmetet dhe raste të tjera. Pra kur koha e reagimit është e menjëhershme dhe komuna apo autoriteti kontraktues duhet të reagoj aty për aty. Në këto raste përdoret procedura emergjente.

Rast i ndryshëm nga kjo është kur koha e reagimit nuk pret për një procedurë normale të tenderimit me të gjitha afatet, por prapëseprapë mund të zhvillohet një procedurë. Në rastin konkret, Komuna e Prizrenit ka mundur që të blejë një sasi të vogël të maskave, uniformave dhe materialeve të tjera me procedurë emergjente dhe pjesën tjetër ta prokuroj me procedurë urgjente. Kjo duket sikur është dallim i vogël dhe procedural por në realitet do të përkthehej me çmime të përgjysmuara, pra komuna për artikujt përkatës do të kursente deri në 50% të buxhetit dhe kjo nuk është pak për vlerën e përgjithshme të kontratës prej 102,040 eurosh.

Ky aktivitet i prokurimit krijon hapësirë për mundësinë e keqpërdorimit të kontratës nga të dy palët, ndërsa krijon mundësi për keqpërdorim edhe të parasë publike thonë ekspertë të prokurimit publik,  në bazë të të cilave krijon edhe hapësirë për hetime nga organet e drejtësisë.

Në kontratën e nënshkruar në mes Komunës së Prizrenit dhe kompanisë “Eka Tradeing“ Sh.P.K., thuhet se Autoriteti Kontraktues (Komuna e Prizrenit), pa ndonjë qëllim për të diskriminuar kundër apo në favor të ndonjë operatori ekonomik, ka përdorur Procedurën e Negociuar pa publikim të Njoftimit për Kontratë, ndërsa arsyeja për marrjen e këtij vendimi është emergjenca ekstreme që janë shkaktuar nga ngjarje të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti përkatës kontraktues. /Lajme365/

Asnjë koment

Comments are closed.