23-11-2024

PDK: Haskuka po eksperimenton me arsimin në Prizren

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Prizren, përmes një kumtese ka shfaqur shqetësimin, siç ka thënë për qasjen joserioze dhe eksperimentimet e kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka ndaj Arsimit në Prizren.

Sipas këtij subjekti opozitat, këtë më së miri e dëshmon emërimi i drejtorit të ri të DKA-së, në krye të cilët është sjellë një njeri pa kurrfarë përvoje në këtë fushë. Për më keq, kjo po ndodh në kohën kur arsimi prizrenas, për shkak të keqqeverisjes në dy vitet e fundit është degraduar dhe ndodhet në gjendjen më të keqe, që nga paslufta.

Në vazhdim të komunikatës së këtij subjekti thuhet:

“Tash kur Drejtoria e Arsimit po vlon nga problemet e krijuara për shkak të mungesës së profesionalizmit dhe ndikimit partiak, kur shkollat e kanë nisur vitin shkollor me mungesa të theksuara të personelit, pas anulimit të përzgjedhjes së fundit nga Haskuka, në krye të Arsimit emërohet dikush, që as vështirë ta ketë haberin se nga t’ia fillojë lëmshit të punëve.

PDK ka besuar se shkarkimi i drejtorit të Arsimit, të dytit brenda tre muajsh,  i ka dhënë leksion kryetarit Haskuka, për gjetjen e një kuadri të dëshmuar e profesional, në mënyrë që ta rikthejë në normalitet arsimin prizrenas, e jo që në këtë pozitë të sillet dikush krejt jashtë kësaj fushe.

Pa dashur ta paragjykojmë drejtoreshën e re, dyshojmë se në vend të zgjidhjes, problemet në arsim do të thellohen, ndërsa e tëra shkon në dëm të fëmijëve.

PDK në Prizren edhe më parë ka paralajmëruar se emërimi i një jo profesionisti në krye të këtij sektori mund të jetë pengesë për zhvillimin e arsimit, e Prizreni nuk ka kohë për eksperimente në sektorin më të ndjeshëm, aq më tepër tash në fillim të vitit shkollor, kur duhet zhdërvjelltësi për start të mirë.

Të gjitha këto janë dëshmi për shkallën e degradimit të arsimit, të sjellë nga qeverisja e Mytaher Haskukës”, thuhet në kumtesën e PDK-së. /GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.