PDK-ja e LDK-ja kërkojnë që të përfundojë këtë vit Ligji i Pagave
Dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kanë kërkuar nga ekzekutivi që për këtë vit kalendarik, të përfundojë Ligji i Pagave dhe paga minimale.
Nga LDK-ja ka pasur kritika sa i përket votimit të shumë projektligjeve, ndërsa nga PDK-ja, kanë kërkuar që në pagën minimale të mos përjashtohen veteranët e UÇK-së.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka thënë për Ekonomia Online se Ligji i Pagave ka qenë e nevojshme që të përfundojë këtë vit, për të cilën thotë se po vonohet pa nevojë.
“Puna e parë do të ishte jashtëzakonisht e nevojshme që tashmë të përfundojë Ligji i Pagave, i cili mund të zgjidhte shumë sfida dhe problemet në të cilat janë sot në sektorin e arsimit dhe në shumë sektorë të tjerë, si dhe do të zgjidhte shumë mundësi në çështjet sociale të qytetarëve tanë. Një ligj i cili po vonohet pa ndonjë arsye dhe një ligj i cili do të duhej tashmë të jetë praktikisht në funksion dhe jo më të shohim zvarritje. Ligji po ashtu do të zgjidhte dilema që kemi me shoqatat e luftës dhe me shumë kategori tjera sociale”, u shpreh Shala.
Shala ka thënë se nuk do të pranohet nëse jashtë pagës minimale mbesin shoqatat e veteranëve të UÇK-së.
“Definitivisht po, ne nuk jemi pajtuar dhe nuk mund të pajtohemi me një ligj të tillë i cili pagën minimale në rend të parë e përcakton me 250 euro, kur tashmë e kemi një inflacion që tashmë i afrohet një përqindjeje të lartë, dhe në këtë relacion ky ligj nuk i plotëson as kriteret minimale për kohën aktuale dhe për këtë që po realizohet aktualisht”, u shpreh tutje Shala.
Ndërsa deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka thënë se për partinë që ajo i takon, është e rëndësishme që të votohet Ligji i Pagave.
Ajo ka pasur kritika edhe sa i përket mos punës në kuvend, i cili u kritikua edhe në Raportin e Komisionit Evropian.
“Kryesorja ka qenë Ligji i Pagave që deri më tani ende nuk ka ardhë në seancë, mirëpo është në dëgjim publik. Ajo ka qenë shqetësuese për arsye se qeveria edhe pse e ka një 51 për qind, ka qenë ngecje në pjesën e legjislacionit, e kemi parë edhe në raportin e Progresit ku thuhet se nuk ka pasur progres në kuvend. Po flas edhe si kryetare e Komisionit për Integrim Evropian, ku ne bazohemi në dy dokumentacionet bazë që kanë të bëjnë me integrimin, ku është Programi Kombëtar për zbatimin e MSA-së dhe Agjenda për Reforma Evropiane, kur siç e kanë paraparë qeveria dhe Bashkimi Evropian, në këtë legjislacion nuk kanë kaluar 37 ligje që i ka Raporti Kombëtar për zbatimin e MSA-së, por që kanë kaluar vetëm 15 ligje, ndërsa Agjenda për Reforma Evropiane që i ka 41 ligje, e që kanë kaluar vetëm gjashtë”, ka thënë Krasniqi.