PDK-ja në Prizren konstaton stagnim në financat publike dhe arsimin komunal

Drejtuesit e degës së PDK-së në Prizren përgjatë këtij viti kanë vërejtur pak përmirësime nga qeveria komunale në raport me vërejtjet e opozitës që janë adresuar në tremujorin e parë të këtij viti.

Sipas partisë më të madhe opozitare, Ekzekutivi lokal ka reaguar për disa çështje vetëm pas presionit të opozitës, shoqërisë civile e medias, derisa në sektorë të caktuar nuk ka reflektuar fare.

“Në disa çështje ka pasur reagime, kur e kemi fjalën për transparencë, atë kohë e kemi konstatuar se mbledhjet e Kuvendit të Komunës nuk transmetoheshin dhe ato tani transmetohen. Po ashtu një drejtor, i cili ka pasur aktakuzë, më nuk është drejtor. Por ka shumë për të bërë për sa i përket menaxhimit të financave publike, korrupsionit e sidomos depolitizimit të arsimit dhe respektimit të konkurseve e legjislacionit e dokumenteve që përcaktojnë se si duhet të pranohen në punë mësimdhënësit. Mendoj se është një çështje problematike dhe aty nuk kemi parë asnjë reflektim deri më tani”, ka thënë kryetari i degës së PDK-së, Shaqir Totaj, të martën.

Ky subjekt politik gjatë tërë vitit 2020, e ka përcjellë gjendjen dhe “ka pas reagime konform zhvillimeve që kanë ndodhur në Komunën e Prizrenit dhe që janë argumentim i keqqeverisjes”.

Ai ka përkujtuar se në tremujorin e parë të këtij viti, PDK-ja ka reaguar për transparencën komunale, me ç’rast ka theksuar se Prizreni mbetet larg nga koncepti i “transparencës radikale”, i premtuar gjatë fushatës elektorale. Totaj ka përkujtuar edhe kritikën e shprehur për ndërhyrjet sistematike të eprorëve politikë, kundrejt punëtorëve profesionalë, sikurse edhe në tenderë; pastaj për rastet e dyshimta të korrupsionit; sikurse edhe letër-kërcënimin e bashkëpunëtorëve të lidershipit komunal ndaj tij.

“Jo vetëm që nuk do të ndalemi përballë kërcënimeve të tilla, por PDK-ja, do të vazhdojë të bëjë opozitën dhe duke nxjerrë në shesh veprimet negative të këtij pushteti, ta sfidojmë keqqeverisjen deri në bërjen e qytetit”, është shprehur ai.

Totaj gjithashtu ka theksuar se shqetësimet janë adresuar edhe sa i përket edukimit parafillor si dhe mospërkushtimin e VV-së ndaj arsimit, që ka rezultuar me mosmbajtjen e premtimit për shujtën falas për filloristët, funksionimin e dy shkollave me nga dy drejtorë, qëndrimi mbi 2 vjet i u.d. të drejtorëve të shkollave, anulime konkursesh për mësimdhënës, etj.

“Pas reagimeve tona dhe pas presionit të shoqërisë civile dhe të mediave, ka pas disa lëvizje në këtë drejtim, mirëpo këtë më së miri do ta vlerësojnë elektorati dhe qytetarët”, ka deklaruar Totaj./koha.net